Analisti Ben Andoni, në një lidhje me studion e News24, komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndaj pezullimit të zv/kryeministres Balluku, duke theksuar se qeveria e ka përdorur procesin si një përplasje institucionale.
“Që në fillim të mandatit të katërt, Balluku ishte në ‘syrin e ciklonit të SPAK’”, tha Andoni, duke shtuar se kryeministri Rama e ka dashur përballjen me drejtësinë që nga momenti kur konfiguroi emrat e kabinetit të tij të katërt.
Sipas Andonit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte mundësi të merrej më shpejt dhe të ishte më i qartë në interpretim, por u zgjat duke krijuar një ngërç institucional:
“Kushtetuesja mund të ishte shumë operative dhe e qartë. Nuk kishte nevojë të zgjaste kaq shumë. Rama po e përdor këtë si përplasje mes institucioneve, dhe ata që do të vijnë pas tij mund të ndjekin të njëjtën rrugë.”
Ai shtoi se në situata normale, Kryeministri do të duhej të respektonte vendimin e drejtësisë, të shkarkonte ministren dhe të vendoste një tjetër në vend të saj, pa krijuar tension institucional.
Ben Andoni: Kisha një bindje që Kushtetuesja do dilte me një vendim hermafrodit. Pse? Sepse janë disa momente ku GJK duke patur përballë vetes cështje të tilla, duhet të jetë më operative por dhe mund të jetë shumë e qartë në interpretimin e vet. Nuk kishte nevojë të zgjaste kaq shumë. Rama po e përdor si përplasje mes institucionesh, dhe ata që do të vijnë pas tij do të bëjnë një gjë të tillë.
Por atij i takonte normalisht të respektonte institucionin e drejtësisë, të merrte vendimin e tij dhe është i thjeshtë. Zonja shkarkohet dhe në vend të saj të vendoste një tjetër. Por Rama e ka dashur këtë përballje me drejtësinë që në momentin kur konfiguroi emrat e tij për mandatin e katërt. Balluku që në fillim të mandatit të katërt, ishte në syrin e ciklopit, të SPAK, por në këtë rast Rama duhet tja kursente këtë ngërç institucional.
