Policia ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e Medresesë në kryeqytet, ku 42-vjeçari Enis Vrapi përplasi tre automjete policie.

Blutë bëjnë me dije se 42-vjeçari u përpoq të arratisej nga QSUT, ku edhe ka qëlluar me pistoletë lodër një mjeke.

Menjëherë pas marrjes dijeni, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje këtij shtetasi, kanë mundur ta kapin dhe kanë kryer shoqërimin e tij, në ambientet e Policisë, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Njoftimi:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

•Rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë, pasi përplasi 3 automjetet e tyre, me automjetin që drejtonte, gjatë tentativës për t’u larguar nga ambientet e QSUT, pasi kishte qëlluar me pistoletë lodër, një mjeke, kapet 42-vjeçari.

Sekuestrohet sendi me të cilin qëlloi 42-vjeçari.

Rreth orës 09:00, shtetasi E. V., 42 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka qëlluar me pistoletë lodër (me gogla), në drejtim të gjymtyrëve të poshtme, një mjeke të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dhe ka tentuar të largohet me automjet nga ambientet e kësaj qendre.

Menjëherë pas marrjes dijeni, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje këtij shtetasi, kanë mundur ta kapin dhe kanë kryer shoqërimin e tij, në ambientet e Policisë, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Gjatë tentativës për t’u larguar, 42-vjeçari ka përplasur me automjetin që drejtonte, 3 automjete policie. Nga përplasjet u dëmtuan lehtë 2 punonjës policie të qarkullimit rrugor.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb