Qytetarët në Kazakistan shkojnë sot në kutitë e votimit për një referendum mbi një Kushtetutë të re që do të forconte kontrollin e pushtetit të Presidentit Kassym-Jomart Tokayev në vendin më të madh të Azisë Qendrore.

Propozimi bashkon dy dhomat e parlamentit të Kazakistanit në një të vetme dhe i jep presidentit të drejtën për të emëruar të gjithë zyrtarët qeveritarë, përfshirë rivendosjen e postit të zëvendëspresidentit.

Por përveç ngjarjes politike, ajo që ka tërhequr vëmendjen është fakti se qytetarët kanë zgjedhur mënyra jo të zakonte për të shprehur vullnetin e tyre.

Në Astana dhe Almaty, votuesit po paraqiten në qendrat e votimit me veshje të pazakonta. Në Astana, një grua e re mbërriti në një qendër votimi e veshur me një robdeshan dhe peshqir në kokë sikur sapo ka dalë nga dushi, ndërkohë që shoqërohej nga një qen robot.

Në Almaty, studenti 18-vjeçar Nursultan Dadyl hodhi votën e tij i veshur si rrjeti social Threads. Përdoruesit që kalojnë shumë kohë në platformë bëjnë shaka se Threads është bërë praktikisht një rrjet social kazak për shkak të numrit të madh të përdoruesve nga Kazakistani.

“Njerëzit në Threads pëlqejnë të debatojnë nën llogari anonime, por jeta reale është ndryshe. Në vend që të ulem në divan dhe të kritikoj, vendosa të vij dhe të votoj”, shpjegoi studenti.

Në qendra të tjera votimi, votuesit u veshën si Supermeni, Iron Man, Kapiten Amerika dhe Jokeri. Disa madje sollën me vete zogj të gjallë.
Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor të Kazakistanit, deri në orën 14:00 sipas orës lokale 6,471,378 qytetarë kishin marrë fletëvotime, që përbën 51.93% e elektoratit. Reforma kushtetuese do të miratohet nëse merr mbështetjen e shumicës së atyre që morën pjesë në votim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb