Nga: MIRA BREGU*
Kushdo që shkon në Gjenevë, padyshim që nuk mund të lërë pa kaluar në sheshin Placedes Nations apo pranë Pallatit madhështor të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ndër hapat hedhur drejt flamujve shumë-ngjyrësh të të gjitha vendeve anëtare që shoqërojnë udhën drejt atij pallati, duket sikur edhe ti bëhesh pjesë e historisë, e shumë ngjarjeve të madha që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për mbarë njerëzimin. Krenaria vjen e bëhet më legjitime kur informohesh se Palais des Nations këtë tetor 2015, do të festojë 70-vjetorin e saj, jetëgjatësia e së cilës lidhet pikërisht me paqen dhe sigurinë në botë.
Tashmë, prej dy vitesh që përshkoj këtë shesh a pallat, gati përditë, dëshiroj të ndaj me ju, të nderuar lexues, ato dimensione gjithaktive ndërkombëtare, që shumë pak i njihni apo vijnë deri te ju. Që nga dimensioni ekonomik-social, intelektual dhe deri tek dimensioni i të drejtave të njeriut.
Palais des Nations ka qenë gjithashtu “streha” e paraardhëses së OKB, e quajtur “Lidhja e Kombeve” e themeluar me vendim të Konferencës së Paqes së Parisit më 1919, dhe që është bërë operacionale në janar 1920. Fillimisht, selia e Lidhjes së Kombeve ka qenë vendosur në Palais Wilson (emri i presidentit Wilson si një nga nismëtarët e krijimit të Lidhjes) po në Gjenevë, deri sa punimet e filluara më 1929, për ndërtimin e pallatit të ri, përfunduan në vitin 1936.
…natyrshëm, lind pyetja – “Përse jo më kjo Lidhje?”
Të gjitha përpjekjet e Lidhjes së Popujve për kufizimin e armatimeve, për çarmatimin apo synimi i saj për të penguar diplomacinë e fshehtë si njëri prej shkaqeve të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, rezultuan të pasuksesshme, të paefektshme. Lidhja e Popujve në radhë të parë nuk mundi të lidhte pranë vetes të gjitha fuqitë e mëdha të atëhershme, për qëllimin kryesor të saj: pengimin e luftërave! Si rrjedhojë, Lidhja e Popujve, më datën 18 prill 1946 gjatë asamblesë së 21-të të saj, deklaroi edhe shpërbërjen e saj.
…Pas Luftës së Dytë Botërore, 51 shtete, fituese të luftës dhe neutralë më 26 qershor të vitit 1945 u bashkuan në San Francisko (SHBA) dhe krijuan Organizatë e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila hyri në fuqi në datën 24 tetor 1945.
Një organizatë e re shumëpalëshe ndërqeveritare, me synimin themelor për të ruajtur paqen dhe sigurinë, të forcojë besimin në të drejtat themelore të njeriut, në barazinë mes burrit dhe gruas apo mes të gjitha kombeve, qofshin ato të mëdha a të vogla, si dhe për të diskutuar dhe formuluar politikat e zhvillimeve ekonomike-sociale botërore. Për pasojë, Selia kryesore e OKB (Sekretari i Përgjithshëm), Këshilli i Sigurimit, Asambleja e Përgjithshme si dhe Këshilli Ekonomik e Social u vendosën në Nju Jork, ndërsa disa agjenci (organizata) të tjera të sistemit të OKB, të karakterit operacional janë instaluar në Palais des Nations, duke i rikthyer pallatit dalëngadalë rolin e mëparshëm, të quajtur sot një qendër “konkurrente” e Nju-Jorkut.
Ndaj dhe sot, Gjeneva e Zvicrës neutrale dhe shumë të zhvilluar, me një demokraci të shkallës së lartë të quajtur “demokraci direkte”, është në të vërtete qendër botërore kryesore e organizatave ndërkombëtare, ku OKB është njëra (megjithëse më e madhja) prej tyre. Kur pak më lart përdora termin “konkurrente” me Nju Jorkun, kjo merr kuptim real pikërisht në këtë këndvështrim. Por, edhe në kuadrin e OKB, me instalimin në 2006 të Këshillit të Drejtave të Njeriut dhe vijimin e Konferencës së Çarmatimit dhe të një seri të tjera agjencish/organizatash të këtij sistemi, pesha e OKB-Gjenevë është dukshëm e madhe.
Në një takim të kohëve të fundit me Trupin diplomatik të akredituar në Gjenevë, drejtori i Përgjithshëm i OKB në Gjenevë (emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB në Nju Jork, Ban Ki Moon, më nëntor 2013) danezi Michel Moller, ka thëne se “Gjeneva dhe Nju Jorku duhet të rrisin më tej bashkëpunimin dhe komunikimin mbi të gjitha për post-2015 Development Agenda and SDG (Sustainable and Development Goals)”, të cilat kanë të bëjnë me objektivat madhorë, mbarëbotëror për t’u arritur, me qëllim ndërtimin e një botë më të sigurt, më të zhvilluar, më të balancuar mes rajoneve të saj dhe në mbrojtje të ambientit” etj., si dhe në një tjetër event ndërkombëtar në Palais des Nations, midis të tjerash, duke buzëqeshur u shpreh: “Me 30 organizata ndërqeveritare në Gjenevë (35 në të gjithë Zvicrën) dhe me rreth 250 organizata joqeveritare që kanë selitë e tyre në këtë qytet-botëror, nuk e dimë se cila është kryeqendra e organizatave ndërkombëtare – Nju Jork apo Gjeneva”.
Përtej kësaj “konkurrence”, lexues të nderuar, doja t’ju përcjell mesazhin se theksimi i njërës qendër apo i një tjetre ka pak rëndësi. Kryesorja është që qendrat e OKB, si Nju Jorku ashtu dhe Gjeneva kanë marrë përsipër misionin e madh të menaxhimit të botës, në fazat e saj si të vështira dhe pasigurta ashtu dhe në etapat e zhvillimit dhe ngritjes ekonomike dhe sociale. Për një definicion më të saktë të kësaj çështjeje, do të doja t’i përmendja lexuesit shprehjen e një kolegu tim në misionin diplomatik të Republikës së Shqipërisë këtu në Gjenevë se, “OKB në Nju Jork është Kryeministria, dmth., vendimmarrësi dhe OKB në Gjenevë janë ministritë, dmth., sferat dhe fushat ku operojnë pothuaj të gjitha agjencitë e OKB që bëjnë punë në terren”.
Po cila është OKB në Gjenevë dhe vetë Gjeneva ndërkombëtare? Çfarë vendi zënë strukturat e OKB dhe organizatat e tjera në Gjenevë? Si funksionon OKB, përse diskutohet dhe çfarë vendoset në takime e konferenca që llogariten mbi dhjetëra në ditë? Çfarë vendi zë Shqipëria në raportet me OKB dhe me të tjera organizata si psh. OBT (Organizata Botërore e Tregtisë), ILO (Organizata Ndërkombëtare e Punës), ITU (Unionin Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, IPU (Unioni Ndër-Parlamentar), OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), WIPO (Org.Bot.për Pronësinë Intelektuale), ku llogariten deri në 35 të tilla. Cili është roli dhe përse janë instaluar në Gjenevë rreth 250 organizata joqeveritare, cili është vendi dhe roli i takimeve ndërkombëtare dypalëshe, rajonale dhe shumëpalëshe për çështje specifike, etj., etj..
Këto do të jenë rubrika të tëra që do të mbushin faqet e rubrikës sonë nga Gjeneva dhe ku unë do të përpiqem të sjell sa më pranë lexuesit Gjenevën ndërkombëtare.
Para se ta mbyll, ndoshta duhet të shuaj pak kërshërinë apo kuriozitetin tuaj që mund të pyesë: Përse ishte Gjeneva zgjedhja më e mirë?
…Mendoj se arsyeja e parë lidhet me traditën zvicerane, si një vend neutral ndër shekuj, të mirëpresë instalimin dhe funksionimin e organizatave ndërkombëtare.
Nuk është shembull i vogël, kur kujton se 150 vite më parë, ideja për krijimin e një organizate humanitare ndërkombëtare dhe për vendosjen e të drejtave ndërkombëtare të njeriut lindi nga Jean Henry Donant, një tregtar i ri zviceran… dhe me pjesëmarrjen e 16 vendeve në Gjenevë u organizua një konferencë ndërkombëtare, ku u nënshkrua marrëveshja e vitit 1864 për kujdesin e të plagosurve në luftë… Më vonë organizata e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe.
Një tjetër shembull… ITU, këtë vit feston 150- vjetorin e themelimit të tij, pikërisht në Gjenevë. Po ashtu edhe FIFA e ka qendrën e saj në këtë vend.
Arsyeja e dytë mendoj se lidhet me gatishmërinë e qeverive zvicerane për të ofruar garanci maksimale ndaj çdo iniciative të kësaj fushe.
Arsyeja e tretë, mendoj se ka të bëjë me standardin e jetesës në këtë vend: shumë i zhvilluar nga dimensioni ekonomik, por edhe një vend që ofron shembull për ndërtimin e demokracisë dhe strukturave të saj.
Mund të shtoj edhe një arsye të katërt: pozicioni gjeografik – në qendër të Europës dhe fakti që zviceranët janë “tre-gjuhësor” -gjermanisht, frëngjisht, italisht, madje dhe një gjuhë e një komuniteti këtu “romanche”, duke jetuar në një komunikim gati perfekt mes tyre!

Të nderuar lexues, ky ishte një përshkrim i shkurtër, si i një vizitori kurioz në një ditë të vetme, që padyshim nuk mund ta shuajë dëshirën për të njohur nga afër dimensionin e kësaj qendre botërore të një sistemi shumëpalësh, si OKB.
Gjenevë, qershor 2015

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: