Një protestë është paralajmëruar nesër në Tiranë, në kohën kur Këshilli i Mandateve do të shqyrtojë imunitetin e zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar pezullimin nga detyra dhe më pas arrestimin.

Migen Qiraxhi, përfaqësues i lëvizjes “Qëndresa Qytetare”, i ftuar në studion e News24, shpjegoi qëllimet e protestës së organizuar. “Ne mendojmë se Kuvendi është vonuar në kohë duke mbajtur me mbrojtje politike një person të akuzuar nga drejtësia dhe kjo s’na duket e drejtë”, deklaroi Qiraxhi.

Ai theksoi se protesta synon të tregojë që qytetarët janë në anën e drejtësisë. “Duam të tregojmë që jemi në anën e drejtësisë që i kërkon parlamentit t’i marrë imunitetin ministres dhe të bëjë një hetim më kualitativ dhe mos të lejojë që këto personazhe të prishin provat, siç edhe janë shprehur vetë prokurorët”, shtoi ai.

Qiraxhi vazhdoi duke e quajtur çështjen urgjente dhe jo të durueshme. “Kjo çështje nuk mund të lihet pa vendimmarrje. Minimalisht duhet të ishte pezulluar Balluku nga detyra, dhe më pas Parlamenti t’i heqë mandatin”, konstatoi përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb