Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz sqaroi të enjten në Berlin, në një konferencë shtypi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, qëndrimin aktual gjerman për NATO-n dhe Ukrainën.

Njëkohësisht, qeveria shpalli ndërtimin e infrastrukturës me rëndësi të jashtëzakonshme, duke hapur rrugë të re.

Zhvillimet e fundit nga Berlini i raportoi në një lidhje direkte për News24, Auron Dodi, analist i Deutsche Welle.

Cili ishte mesazhi kryesor i Kancelarit Merz në konferencën e shtypit?

Auron Dodi: Kancelari Friedrich Merz tha në konferencë se për qeverinë gjermane, “forcimi i shtyllës evropiane të NATO-s është një prioritet absolut”. Gjermania dhe Evropa po investojnë “në fuqinë e vet”.

Përsa i përket Ukrainës, ai përmendi tre objektiva: së pari, arritjen e një armëpushimi; së dyti, garanci të forta ligjore e materiale për këtë armëpushim, jo si për marrëveshjet e Minskut; dhe së treti, një zgjidhje të negociuar që ruan interesat e sigurisë evropiane.

Merz-i ritheksoi se vetëm Kievi mund të vendosë se cilën marrëveshje territoriale pranon. Gjermania, tha ai, është e përgatitur të qëndrojë gjatë me Ukrainën dhe do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Moskës, veçanërisht përmes përdorimit të aseteve të ngrira ruse. Për këtë Gjermania ka propozuar në Bruksel që Ukrainës t’i jepet një kredi e BE, e cila do të garantohet nga asetet e ngrira ruse. Kancelari mendon se Brukseli do t’i kapërcejë vështirësitë që lidhen me këtë hap.

News24: Në konferencën e shtypit, kancelarin Merz e pyetën edhe për Presidentin Trump, i cili kishte lënë të kuptohej se amerikanët mund të dërgonin përfaqësues në Evropë në fundjavë, për marrëveshjen e paqes. Çfarë tha Merz-i?
Auron Dodi: Kancelari Merz u shpreh se pala evropiane kishte propozuar që dokumentet evropiane të diskutohen me qeverinë amerikane. Në telefonatën që Merz-i, kryeministri britanik Starmer dhe presidenti francez Macron kishte bërë me Presidentin Trump, i kishin dhënë një propozim për koncesionet territoriale që mund të bënte Ukraina. Këtë presidenti Trump nuk e njihte.

Merz-i theksoi se vendimi i fundit i takon popullit ukrainas. Por ai u shpreh në “njëfarë mase i bindur” se mund të arrihet një hartim i përbashkët i dokumenteve për Ukrainën. Nga kjo, tha kancelari, varet edhe prania amerikane në një takim që mund të mbahet “në fillim të javës së ardhshme këtu në Berlin”. Nga biseda me Presidentin Trump, Merz-i kishte krijuar “përshtypjen e fortë” se “ai është i gatshëm ta ndjekë këtë rrugë me ne”.

News24: Pas vitesh përmbajtjeje, Gjermania do të ketë ushtrinë konvencionale më të madhe në Evropë. Po për investimet në infrastrukturën e vendit, që prekin edhe sigurinë?
Auron Dodi: Pyetje me vend. Krerët e partive në qeveri, CDU/CSU-ja konservatore dhe socialdemokratët vendosën të mërkurën (10.12.) përshpejtimin masiv të projekteve të infrastrukturës. Miratuan një strategji të re. Kancelari Merz i kishte thënë qeverisë se “asgjë nuk është më si më parë. Ne jemi në një botë tjetër. Kohë të tjera duan përgjigje të tjera.”

Pas mbledhjes së krerëve të koalicionit, projektet e infrastrukturës u shpallën me interes publik të jashtëzakonshëm: pra fjala është për ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, rrugëve ujore, deri te parkingjet e autostradave. Ky status i jashtëzakonshëm projektesh minimizon pengesat ligjore, pasi padi mund të bëhen vetëm për elementë formalë, të projekteve. Dhe ministritë duhet të vënë më shumë burime në dispozicion.

Ky është një model me histori suksesi në Gjermani: kur u pakësua dhe pastaj ndërpre gazi rus për Gjermaninë, kështu u ndërtuan në kohë rekord terminale për gaz të lëngshëm LNG.

News24: A qëndron qeveria gjermane në themele solide?

Auron Dodi: E kuptoj pyetjen, sepse ky vit nisi jo lehtë: kancelari Merz nuk mori fillimisht mjaftueshëm vota, në zgjedhjen për kancelar. Dhe qeveris me një shumicë të ngushtë, prej 12 deputetësh. Megjithatë: koalicioni ka qëndruar i bashkuar në çdo kohë. Kryeministri bavarez Markus Söder tha se koalicioni është “më i mirë se reputacioni i tij” dhe se “makineria ligjvënëse funksionon”. Edhe socialdemokratët e vlerësuan punën.

Presioni i zhvillimeve i ka afruar liderët e koalicionit. Por ka ende vështirësi në radhët e pasme të grupeve parlamentare.

News24: Cili është faktori më i madh i pasigurisë?

Auron Dodi: Sjellja e grupeve parlamentare në Bundestag. Ato duhet të ndjekin më mirë liderët e koalicionit. Ka pasur disa raste shkëputjeje, që nga zgjedhja e kancelarit deri te gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, nuk mund të flitet për parlament të copëzuar, si në Francë. Dhe masat për infrastrukturën do të ndihen nga njerëzit. Kështu që përshpejtimi masiv i projekteve tani shihet pozitivisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb