Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama në lidhje me korrupsionin, duke deklaruar se koha ka provuar se sa më shumë që kreu i qeverisë mohon një problem, “aq më thellë është i zhytur në të dhe aq më shumë zvarritet për ta mbrojtur”.
Ai shtoi se problemi qëndron se me “zvarritjen” e kreut të qeverisë, bashkë me të “zvarriten edhe shqiptarët”.
Sipas tij, duke mohuar realitetin e krimit dhe korrupsionit, Rama po shmang përgjegjësinë, ndërsa njëkohësisht po dekurajon e intimidon drejtësinë, duke thelluar krizën dhe vonuar zgjidhjen e problemeve në Shqipëri.
Reagimi i plotë:
MOHIMI QË KUSHTON!
Koha ka provuar se sa më shumë që Edi Rama mohon një problem, aq më thellë është i zhytur në të dhe aq më shumë zvarritet për ta mbrojtur. Por çështja është se, bashkë me të, zvarriten edhe shqiptarët.
Duke mohuar realitetin e krimit dhe korrupsionit, siç po bën sot, Edi Rama shmang përgjegjësinë, dekurajon dhe intimidon drejtësinë, thellon krizën dhe vonon zgjidhjen, duke e kthyer çdo mohim në kohë të humbur për Shqipërinë.
