Këshilltari i Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Dorjan Teliti, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me marrjen nën hetim të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, nga SPAK.
Teliti e krahasoi situatën e Ballukut me atë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke paralajmëruar se “ngjarjet po përsëriten me të njëjtin skenar”.
“Sjellja e Ballukut sot më duket si një deja vu me sjelljen e Veliajt. Fillon me një ftesë në SPAK dhe përfundon me masa shtrënguese. Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqjen, sepse akuzohet për afera klienteliste në një institucion që ende e drejton,” deklaroi Teliti.
Sipas këshilltarit demokrat, qëndrimi në detyrë i një zyrtareje që është nën hetim për çështje që lidhen me ministrinë që ajo drejton përbën rrezik për procesin hetimor.
“A ka mundësi që njerëzit në detyrë të fusin duart në prishjen e provave në institucionet ku besohet se kanë kryer shkelje? Kjo është pyetja që duhet bërë sot,” shtoi ai.
Teliti kërkoi që SPAK të përdorë kompetencat ligjore për të pezulluar përkohësisht Ballukun nga detyra, nëse ajo nuk jep dorëheqjen vetë.
“Nëse nuk jep dorëheqjen, SPAK duhet ta pezullojë Ballukun nga detyra, sepse e ka këtë kompetencë. Dhe nëse shihet që ka ndërhyrje në hetim, siç ndodhi me Veliajn, atëherë duhet të merren masa të tjera shtrënguese,” theksoi Teliti.
