Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka kritikuar ashpër nivelin e përfaqësimit në politikën shqiptare, duke e cilësuar parlamentin aktual si të dobët dhe të mbushur me individë të papërgatitur. Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24, Oketa u shpreh se Shqipëria vazhdon të diskutojë ende për standarde bazë si zgjedhjet e lira, ndërsa sipas tij, qeveria aktuale është e korruptuar dhe vendi ka bërë hapa pas.
Ai theksoi se në kohën kur ishte pjesë e Kuvendit, debati politik kishte nivel dhe zhvillohej me respekt mes palëve. Ndërsa sot, sipas tij, Parlamenti dominohet nga një klasë “injorante dhe servile”.
Oketa fajësoi si mazhorancën ashtu edhe opozitën për situatën aktuale, duke veçuar marrëveshjen politike të vitit 2008, mënyrën e trajtimit të pronës dhe liberalizimin e diplomave si faktorë që, sipas tij, kanë ulur cilësinë e përfaqësimit politik. Në lidhje me politikën e jashtme, Oketa vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke theksuar se ky është një faktor i rëndësishëm për garantimin e sovranitetit dhe sigurisë së vendit.
Megjithatë, ai shtoi se roli i faktorit shqiptar në rajon është zbehur, pavarësisht përfitimeve që vijnë nga anëtarësimi në aleancë.
“Shqipëria është ende një vend ku diskuton akoma zgjedhje të lira. Mjafton të shohësh parlamentin aktual se sa hapa pas ka bërë dhe sa qeveri e korruptuar është. Në periudhën kur isha në atë sallë ishte kënaqësi që të debatoje me kolegët e opozitës. Parlamenti është mbushur me një klasë injorante, servile, ku përgjegjësinë kryesore e ka kryeministri, por dhe opozita, për marrëveshjen e 2008, dhe pas trajtimi të pronës, liberalizimi i diplomës. Çdo injorant ka pasur mundësi që të futet në politikë. Efektet do të duhet të shihen disa vite. Ndryshimet e 2008 sollën këto që po ndodhin sot. Besoj se Shqipëria ka përfituar nga anëtarësimi në NATO. Qoftë për shkak të faktit që sovraniteti i Shqipërisë nuk preket. Pra nëse preket cënimi territorial, ndërhyn NATO. Sot roli i faktorit shqiptar është zbehur. Pavarësisht situatës dhe vështirësive të aleancës, është një situatë që shumë mirë që Shqipëria është anëtare e NATO-s. Unë mendoj se e përmbushim detyrën aq sa e përmbushin dhe vendet e tjera.”, tha ai.
