Qeveria shqiptare ka bërë gati 80 milionë dollarë për familjet për disa kategori të caktuara, ndërsa siç tha kryeministri Edi Rama, kjo është një ndihmë për të kaluar më lehtë dimrin.

Rama, përmes disa postimeve në Facebook, ka specifikuar kategoritë që do të përfitojnë nga kjo paketë ekonomike.

Kështu 20 mijë lekë të reja do t’u shpërndahen ushtarëve bazë e nënoficerëve, zjarrfikësve, 10 mijë lekë të reja për inspektorët e nënkomisarët dhe 7% për komisarët e Policisë së Shtetit, 20 mijë lekë të reja për gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike, 8 mijë lekë të reja për çdo familje me ndihmë ekonomike e po ashtu edhe për për çdo person me aftësi të kufizuar.

Postimi i Ramës:

20 000Lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe do u shpërndahen ushtarëve bazë e nënoficerëve që pavarësisht rritjes së konsiderueshme të pagave këtë vit për gjithë ushtarakët tanë, janë ata që paguhen më pak se sa të tjerët në Forcat e Armatosura dhe kështu do të ndihmojnë familjet e tyre me zerimin e impaktit të inflacionit të luftës në këtë periudhë të vështirë për të gjithë

Rritja e pagave me 15% këtë vit për zjarrfikësit, bashkë me 20 000Lekët (e reja) nga Pakoja e Madhe e këtij dimri të vështirë për mbarë Europën, do ta bëjnë praktikisht zero impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin e familjeve të tyre, ndërkohë që paga për ta do të vijojë të rritet më tej, si mbështetje e domosdoshme për një shërbim gjithnjë e më të kërkuar, në kushtet kur zjarret po bëhen një problem i madh për gjithë botën

10 000Lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe, pas rritjes së pagave para disa muajsh me 15% për inspektorët e nënkomisarët dhe 7% për komisarët e Policisë së Shtetit, do ta zerojnë impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin familjar të punonjësve të policisë në këtë dimër të vështirë për të gjithë, duke dëshmuar po ashtu vëmendjen e pandarë të qeverisë jo vetëm ndaj shtresave më në nevojë, po edhe ndaj shërbëtorëve të shtetit e të popullit shqiptar

Edhe 20 000Lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe për gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike – pas dyfishimit të ndihmës këtë vit, bonusit të Vitit të Ri si edhe pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore nga shteti duke nisur prej 1 janarit – për të lehtësuar plotësisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre bazë, në këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën

8000Lekë (të reja) për çdo familje me ndihmë ekonomike, që impakti i inflacionit të luftës në muajt e mbetur të dimrit të zbutet maksimalisht mbi konsumin bazë të tyre dhe ky dimër i vështirë ekonomik për mbarë Europën, të kalojë sa më lehtë për këto familje

8000Lekë (të reja) për çdo person me aftësi të kufizuar, do të lehtësojnë maksimalisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit, ku falë edhe subvencionimit masiv të çmimit të energjisë që do të vazhdojë përgjatë vitit 2023, mburoja financiare e qeverisë për familjet shqiptare e bën shumë më të përballueshëm këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb