Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka dhënë një deklaratë për mediat, duke paralajmëruar se Shqipëria ka marrë një sinjal të fortë nga Ministriali i Komunitetit të Energjisë për përjashtimin e saj nga ky traktat, një institucion i rëndësishëm i financuar nga Bashkimi Europian.

Bozdo shpjegon se paralajmërimi vjen për shkak të dështimit të vendit për të përmbushur detyrimet kryesore: përafrimin e legjislacionit me BE-në, ngritjen e kapaciteteve institucionale, zbatimin e reformave në tregun e energjisë, sigurimin e furnizimit me energji, tregtinë ndërkufitare, sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e emergjencave energjetike.

“Komuniteti i Energjisë ndihmon vendet e rajonit të përafrijnë legjislacionin dhe kapacitetet e tyre institucionale për t’u integruar më pas plotësisht në Bashkimin Europian. Ky dështim i rëndë i Shqipërisë dhe fakti që qeveria nuk ka raportuar për dy vjet, tregon gjendjen reale të qeverisë në procesin e përafrimit me BE-në”, tha Bozdo.

Deputeti kritikoi ashpër situatën në sektorin e energjisë, duke e cilësuar atë në krizë të thellë pavarësisht investimeve prej rreth 1.5 miliard euro gjatë 12 viteve të fundit. Ai përmendi borxhet e kompanive publike, menaxhimin e dobët dhe keqadministrimin e OSHEE-së, ku sipas tij, drejtuesit janë nën hetime për megakorrupsion.

Bozdo shtoi se shqiptarët paguajnë energji elektrike më shtrenjtë se vendet e rajonit dhe, në bazë të fuqisë blerëse, më shumë se Gjermania, Holanda dhe Franca. Ai kritikoi gjithashtu mosfunksionimin e bursës së energjisë, liberalizimin e tregut dhe mosrealizimin e projektit të gazifikimit.

Sipas Bozdo, ky është një tregues i dështimit të qeverisë në sektorin energjetik dhe më gjerë: “Vizioni i Ramës për Shqipërinë 2030 nuk ka asnjë lidhje me Europën e vlerave dhe ekonomisë së fortë. Ai ka lidhje me krimin e organizuar, megakorrupsionin, shkatërrimin e ekonomisë, rrezikimin e sigurisë kombëtare dhe shpopullimin e vendit. Kjo qeveri ka përfunduar misionin dhe kohën e saj. Tashmë i takon shqiptarëve të ngrihen dhe të marrin fatet e vendit në dorë!”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb