Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka paralajmëruar një krizë të thellë në transportin urban, duke deklaruar se shërbimi është në prag të paralizës dhe rrezikon të ndërpritet.

Sipas tij, shoqatat e transportit publik kanë njoftuar zyrtarisht pezullimin e shërbimit, ndërsa institucionet vendore dhe qendrore nuk kanë reaguar në kohë për të adresuar situatën.

Në një postim në rrjetet sociale Teliti akuzon mazhorancën në Këshillin Bashkiak se ka refuzuar përfshirjen në rend dite të diskutimit mbi menaxhimin e krizës së transportit urban, duke e cilësuar këtë si mungesë vullneti për të trajtuar problemin.

Postimi:

TRANSPORTI URBAN NË TIRANË NË PRAG TË PARALIZËS – KJO NDODH KUR QEVERIA DHE BASHKIA NUK REAGOJNË DHE BRAKTISIN SEKTORIN!
Ndërkohë që sot shoqatat e transportit publik paralajmëruan zyrtarisht ndërprerjen e shërbimit nga java e ardhshme, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të pak ditëve më parë mazhoranca socialiste refuzoi kërkesën time për të futur në rend dite diskutimin mbi: “menaxhimin e munguar të krizës në transportin urban të kryeqytetit”.
Realiteti është i qartë: shërbimi po shkon drejt kolapsit ekonomik dhe qytetarët po paguajnë koston e keqmenaxhimit dhe mungesës së vizionit.
Ndaj sot dy thirrje janë tejet të rëndësishme:
1. Qeveria të ulë urgjentisht taksimit mbi karburantin. Nuk mund të ketë transport publik të qëndrueshëm kur Shqipëria mban barrën fiskale më të lartë në rajon mbi naftën. Duhet një politikë fiskale lehtësuese që ul direkt koston e shërbimit, në mënyrë që kjo barrë të mos shkojë as te bileta e qytetarit dhe as te falimenti i linjave.
2. I bëj thirrje këshilltarëve socialistë të Kryeqytetit që të lënë mënjanë arrogancën e kartonave dhe të mblidhet urgjentisht Këshilli Bashkiak në seancë të jashtëzakonshme. Të bëhet transparencë e plotë mbi veprimtarinë, sfidat, nevojat e sektorit dhe të merren vendime kurajoze për mbështetje konkrete ndaj operatorëve të tregut. Transporti publik nuk është luks, por një e drejtë dhe nevojë jetike.
Nëse nuk reagojmë, transporti urban në Tiranë do shkojë shumë shpejt drejt kopalsit të plotë. Nuk mund të qeveriset kryeqyteti me “veshë të shurdhër” ndaj alarmeve që bien çdo ditë!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb