Kreu i PD Sali Berisha, në një konferencë për shtyp nga selia blu, foli edhe në lidhje me atë po ndodh në Theth, një ngjarje që ka tërhequr vëmendjen gjatë dy ditëve të fundit, pas njoftimit nga kryeministri Edi Rama se ndërtime pa leje do të hiqeshin nga ky fshat turistik.
Kujtojmë se Rama kritikoi ashpër edhe vendimin e marrë nga një prokurore për mos nisje të çështjes kundër këtyre ndërtimeve.
Berisha u shpreh se në vend që institucionet të merren me atë që ndodhi në Elbasan, masakrën mjedisore me zjarrin në landfillin e Elbasanit që zgjati për rreth një javë, merren me disa kontejnerë të vendosura në Theth.
Kryedemokrati theksoi se e gjitha kjo është vetëm një zhurmnajë për të “mbytur” atë që ndodhi në Elbasan, ndërsa shtoi se qeveria duhet të kishte vënë në dispozicion 1 mln lekë shpërblim për të kapur Prekë Kodrën, i cili njihet si pronar i kontejnerëve, që është shpallur në kërkuam edhe në lidhje me dosjen “Metamorfoza”.
“Edi Rama, për të mbuluar helmimin që u bëri qytetarëve të Elbasanit me një zjarr që qyteti që nuk e kishte parë kurrë gjashtëditor, zjarr në të cilin u prodhuan toksinat më të rrezikshme për shëndetin e njeriun, zjarr në të cilin janë prodhuar dioksina dhe shumë lloje toksinash të tjera me pasoja katastrofike, zjarr për të cilin nuk ka asnjë përgjegjësi për Edi Ramën dhe që përbën krimin mjedisor më të rëndë në historinë e vendit, shkon e merret me kontejnerët e një krimineli, i cili sipas dosjes ‘Metamorfoza’ ishte angazhuar për të ekzekutuar kryeministrin e Kosovës.
Dhe për Edi Ramën, nuk ishte ky problemi më kryesor.
Prek Kodra rezulton si njeri që kishte marrë përsipër, i shtyrë nga Vuçiçi apo vëllezërit e Vuçiçit, atë nuk mund ta gjejnë se u njoftua dhe u largua ai. Dhe tani merret me kontejnerët. Do të merret me krimin mjedisor të disa kontejnerëve dhe jo me gjëmën që i bëri Elbasanit dhe Vlorës me djegien e fushave të plehrave si në Mesjetë.
Informoj qytetarët se zhurma që bëhet për Thethin është njëlloj si të përpiqesh të mbulosh megakrimin e tij.
Qeveria duhej te vendoste milionin mbi kokën e tij për të kapur atë.
Imagjinoni ju, Tirana vrau këtu Ahmet Krasniqin. Po, po. Fatos Klosi me shokë dhe tani na dalin të tjerët, po nga Shqipëria që duan të vrasin kryeministrin e Kosovës. Dhe problemi është se një prokurore nuk lëshoi urdhër arrest për kontejnerët, të cilët sipas raportit të policisë, nuk ishin ndërtim me themele, pra nuk plotësonin kushtin ligjor të ndërtimit pa leje. Jo!
Dhe policia këtë vendim, që ta dinë qytetarët, këtë vendim të prokurores, nuk e apeloi, nuk e çoi në gjykatë.
E kuptoni ju?
Dhe ka dy ditë që llomotit për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga Elbasani, nga Vlora, për të mashtruar, për të mbuluar krimin e tmerrshëm mjedisor që u krye dhe që ka në themel vjedhjen e shekullit, llamarinën që solli në Elbasan dhe që nuk funksionoi as 3 muaj, zero ndërtimin e djegësit në Tiranë dhe po kështu në Fier.
Pra, u ndala në këto çështje, të cilat janë probleme madhore të Kushtetutës, ligjit dhe drejtësisë.”, tha ai.
(BalkanWeb)
