Në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme, ku raportoi Ministrja e Shtetit për Integrimin, nënkryetarja e komisionit Albana Vokshi ngriti një sërë kritikash ndaj qeverisë për menaxhimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Vokshi akuzoi ekzekutivin për mungesë transparence, duke deklaruar se procesi i negociatave me Bashkimin Europian po trajtohet në mënyrë të mbyllur.

“Pse e mbani procesin e integrimit top sekret dhe pse nuk ndani me publikun dhe opozitën informacion mbi negociatat dhe ecurinë reale të procesit?”, u shpreh ajo gjatë mbledhjes.

Një tjetër pikë e ngritur nga Vokshi lidhej me një editorial të përbashkët Rama–Vuçiç, të cilin ajo e interpretoi si sinjal për një ndryshim të mundshëm të vizionit të Shqipërisë për integrimin europian, nga anëtarësim me të drejta të plota drejt një modeli “integrimi pa vendimmarrje”.

Ajo solli gjithashtu në vëmendje procesin IBAR, mekanizmin e Bashkimit Europian që vlerëson progresin në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se Shqipëria ende nuk e ka përmbyllur këtë fazë.

Sipas saj, problematik mbetet edhe qëndrimi i qeverisë dhe mbrojtjes së kryeministrit Rama ndaj çështjeve të hetuara nga SPAK, duke përmendur rastet e Belinda Ballukut dhe Mirlinda Karçanajt, të cilat, sipas saj, mund të ndikojnë në ecurinë e negociatave.

“A ia ka bërë të qartë Bashkimi Europian qeverisë shqiptare se çështja Balluku përbën një test për Shqipërinë?”, pyeti Vokshi.

Ajo përfundoi duke akuzuar qeverinë se, pavarësisht raporteve të shumta, rezultatet konkrete në procesin e integrimit mbeten të kufizuara, ndërsa opozita, sipas saj, mbështet integrimin europian që kërkohet nga shumica e qytetarëve shqiptarë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb