Ish-ambasadori Agim Nesho, i ftuar në News24, komentoi zhvillimet e fundit në Kosovë pas nisjes së mandatit të tretë të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Neshos, prioritet kryesor i qeverisë Kurti mbetet integrimi i Kosovës në komunitetin euro-atlantik, përfshirë anëtarësimin në NATO. Ai theksoi gjithashtu vijën e ashpër të qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se Kosova, edhe pse një republikë e re, është një nga demokracitë më shembullore në Ballkan me norma demokratike.

“Dialogu me Serbinë është një tjetër çështje kyçe. Vendet që synojnë të hyjnë në BE duhet të kenë zgjidhur problemet mes tyre. Kryeministri Kurti ka kërkuar njohje reciproke si kusht vendimtar për të avancuar negociatat, duke kërkuar zhdukjen e tensioneve mes dy vendeve,” tha Nesho.

Ai shtoi se deri tani Kosova shpesh ka qenë vetëm objekt i diskutimeve evropiane për normalizimin e marrëdhënieve, ku prioritet është dhënë Serbisë. “Politikat evropiane kanë toleruar herë pas here qëndrime nacionaliste të Serbisë, duke ushtruar presion të gjerë dhe vendosur sanksione ndaj Kosovës,” theksoi ish-ambasadori.

Nesho vuri në dukje se ky mandat i tretë i qeverisë Kurti ka mundësinë të forcojë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe të avancojë proceset e integrimit dhe normalizimit të marrëdhënieve rajonale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb