PRISHTINE – Kabineti i ri qeveritar i Kosovës i udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, përbëhet nga shumë ministri dhe zëvendësministra, që sipas ekspertëve për çështje ekonomike dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, konsiderohet luks për një vend të varfër si Kosova, rrjedhimisht barrë buxhetore.
Sipas tyre, numri i madh i ministrive dhe zëvendës ministrave është krijuar për shkak të rehatimit të përkrahësve të zjarrtë të koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kabineti qeveritar përbëhet nga Isa Mustafa kryeministër, tre zëvendës kryeministra, 21 ministri, përfshirë këtu dy ministra pa portofol dhe rreth 50 zëvendës ministra.
Numri i zëvendës ministrave është në bazë të marrëveshjes se koalicionit të Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, që në secilën ministri të emërohen nga dy zëvendës ministra, njëri nga radhët e PDK-së dhe tjetri nga radhët e LDK-së.
Këtu duhet marrë në konsideratë, thuhet në marrëveshje edhe përfaqësimin e komuniteteve, të cilët do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar dhe do të udhëheqin ministri të caktuara, si dhe do të kenë pozita në nivel të zëvendës ministrave.
Në anën tjetër, gjatë fushatës se tij zgjedhore, Isa Mustafa, kishte premtuar se do zvogëlonte numrin e ministrive për të evituar shpenzimet e tepërta.
(er.nu/rel/BalkanWeb)
