Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Për vitin 2015, qeveria vendosi dje të hapë 760 vende të reja pune në administratën publike. Këto vende do të ndahen sipas kategorive të mëposhtme: 30 vende do të jenë të hapura në trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues; 40 vende do të jenë të hapura për kategorinë e mesme drejtuese; 180 vende do të jenë për kategorinë e ulët drejtuese dhe 510 vende do të jenë për kategorinë ekzekutive, ose thënë ndryshe në nivelin e specialistëve. Kështu thuhet në vendimin e qeverisë, miratuar dje. Tashmë me ndryshimin e mënyrës se si përzgjidhen nënpunësit në administratën publike, profesionet që kërkohen, ose thënë ndryshe, siç përcaktohen në vendimin e qeverisë, “grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm, në kategorinë ekzekutive” janë nga fusha si: Shkenca Juridike, Shkenca Kompjuterike, Audit i Brendshëm, Shkenca Ekonomike, Shkenca Shoqërore, Shkenca Sociale, Histori-Filologji, Teologji, Shkenca Mjedisore ose të tjera të përshtatshme, Inxhinieri, Arkitekturë, Arkeologji dhe Restaurime, Artet e Bukura. Gjeodezi, Shkenca Ekzakte, Shkenca Edukimi, Mësuesi, Arsim i Lartë Ushtarak/policor”. Vendimi do të jetë më i plotë me botimin e tij në Fletoren Zyrtare, por ndërkohë për zbatimin e tij ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse. Sipas modelit të ri të konkurrimeve në administratën publike, Departamenti i Administratës Publike shpall numrin e vendeve vakante dhe fushën, në të cilën kërkohen nënpunësit. Për këtë fushë futen në konkurrim të gjithë kandidatët që shprehin interesin e tyre dhe që kanë diplomën përkatëse. Më pas në bazë të rezultatit të arritur, kandidatët shpërndahen në dikasteret, ku kërkohen punonjës të kësaj kategorie. Vetëm personi që ka dalë i pari, në renditje pas konkursit ka të drejtën të zgjedhë pozicionin e tij.
AMBASADORËT
Ambasadorët dhe konsujt e Shqipërisë jashtë vendit lejohen nga qeveria që të kryejnë vetë procedurat për blerje automjetesh, sipas rregullave të tyre të brendshme. Ky vendim u mor dje, në mbledhjen e qeverisë, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi që të shtohet një nënpikë. Sipas këtij propozimi: “1.3. përjashtimisht, lejohen përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të RSH-së, të akredituara jashtë vendit, që procedurat për blerje automjetesh t’i realizojnë vetë, sipas rregullave të tyre të brendshme”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb