Administrata Trump bëri të ditur të mërkurën udhëzime të reja, të cilat inkurajojnë amerikanët të konsumojnë më shumë proteina dhe të reduktojnë sheqerin, duke sugjeruar gjithashtu shmangien e ushqimeve shumë të përpunuara për përmirësimin e shëndetit.

Udhëzimet janë pjesë e nismës “Make America Healthy Again” (MAHA), e mbështetur nga Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert Kennedy Jr. Ai, së bashku me zyrtarë të tjerë të administratës, përfshirë Sekretaren e Bujqësisë Brooke Rollins, kanë ndërmarrë politika që synojnë përmirësimin e shëndetit publik, si kufizimi i aksesit në ushqime të pashëndetshme për përfituesit e kuponëve ushqimorë.

Kennedy dhe Rollins kanë theksuar se udhëzimet e reja synojnë thjeshtimin e rekomandimeve ushqimore dhe reduktimin e ndikimit të kompanive ushqimore në hartimin e tyre.

Mbështetësit e Kennedy dhe nismës MAHA argumentojnë se konsumi i lartë i sheqerit dhe ushqimeve të përpunuara në dietën amerikane ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e sëmundjeve kronike. “Sot, qeveria po i shpall luftë sheqerit”, deklaroi Kennedy gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, rekomandimet ekzistuese për t’i dhënë përparësi frutave, perimeve dhe drithërave të plota, si dhe për të kufizuar yndyrnat e ngopura në 10% të kalorive ditore, mbeten të pandryshuara.

Sipas Kennedy-t, ndjekja e këtyre udhëzimeve do të ndihmojë në uljen e kostove të kujdesit shëndetësor, një çështje e rëndësishme për republikanët përpara zgjedhjeve të vitit 2026. “Udhëzimet e reja pranojnë se ushqimet e plota dhe ushqyese janë rruga më efektive drejt një shëndeti më të mirë dhe kostove më të ulëta të kujdesit shëndetësor”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb