Qeveria ka miratuar strategjinë e re të turizmit 2024-2030, në të cilën janë përcaktuar 6 zonat e reja turistike në vend.
Ato janë: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.
Strategjia e re përcakton objektiva të qartë dhe të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmit deri në vitin 2030 e shoqëruar me rritje të kapaciteteve akomoduese dhe përmirësim të standardeve dhe detyra të reja për agjencitë shtetërore që lidhen me industrinë e turizmit.
Në një video-mesazh, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit.
“Sot mirënjohje për të gjithë stafin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për ata dhjetëra specialistë që u përfshinë në hartimin e kësaj strategjie dhe sigurisht për partnerët tanë të GIZ që japin një kontribut të çmuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm”, shprehet Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
(BalkanWeb)
