Të gjithë personat që kanë ndërtuar deri në gusht të vitit 1991 mund të regjistrojnë në Zyrat e Pasurive të Paluajtshme objektet e tyre, qofshin për banim apo biznes, brenda 7 ditëve. Qeveria ka ndryshuar ligjin për “Përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, si dhe regjistrimin e tyre”, duke shkurtuar afatet për pajisjen me aktin e pronësisë. Sipas vendimit që hyn në fuqi sot mësohet se në rastet e realizimit të projekteve, investimeve dhe shpronësimeve për ndërtimin e infrastrukturës publike kombëtare ose vendore, institucioni i autorizuar, kryesisht ose me kërkesën e subjektit të interesuar apo subjektit që kryen investimin, fillon dhe përfundon brenda 7 ditëve procedurat e miratimit të kalimit të pronësisë.
Dokumentet
Në vendim është përcaktuar se është e domosdoshme që aplikanti duhet të dorëzojë çdo dokument zyrtar, që provon ekzistencën e ndërtimit para vitit 1991. Një tjetër dokument i domosdoshëm është edhe vërtetimi i gjendjes familjare të poseduesit të pasurisë së paluajtshme, para datës 10.8.1991. Dokumentacioni i mësipërm, së bashku me relacionin tekniko-ligjor, të përgatitur nga institucioni i autorizuar, i dërgohet, menjëherë, zyrës vendore të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë që zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme kryen procedurat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe lëshon dokumentin e pronësisë brenda ditëve. Zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, me lëshimin e dokumentit të pronësisë, njofton, menjëherë, institucionin e autorizuar si dhe subjektin e interesuar apo subjektin që kryen investimin, duke e shoqëruar me dokumentacionin tekniko-ligjor të regjistrimit.
Pagesat
Shpenzimet e nevojsh-me për regjistrimin e pronës përballohen, fillimisht, nga subjekti kërkues dhe përfitues i projektit dhe i rimbursohen më pas këtij subjekti nga vlera e kompensimit të pronarit, në momentin e likuidimit për efekt të shpronësimit.
Përfituesit
Përfituesi i pasurisë së paluajtshme, në kohën e marrjes së certifikatës së pronësisë, paguan në numrin e llogarisë së caktuar nga institucioni i autorizuar tarifën e shërbimit. Masa e tarifës së shërbimit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: