Ish-deputeti Lefter Maliqi ka folur në studion e News24 mbi aksionin e opozitës dhe protestën kombëtare të paralajmëruar nga Partia Demokratike më 24 janar, duke theksuar se vetëm largimi i kryeministrit Edi Rama dhe ngritja e një qeverie teknike mund të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Sipas Maliqit, protesta e 24 janarit duhet të shënojë një kthesë të fortë në mënyrën e reagimit opozitar. Ai u shpreh se vendimmarrja duhet të merret pikërisht në këtë datë, duke mos përjashtuar skenarë si ngritja e çadrave, greva e urisë apo forma të tjera presioni të vazhdueshëm ndaj qeverisë.
“Nëse protesta do të jetë si të mëparshmet, me fjalime dhe drita të ndezura për disa orë, kjo qeveri nuk bie,” deklaroi Maliqi, duke shtuar se një regjim i tillë, sipas tij, nuk mund të përballet me protesta simbolike apo të shkurtra. Ai shprehu skepticizëm për suksesin e opozitës përballë zgjedhjeve të ardhshme lokale, duke theksuar se korrupsioni është shndërruar tashmë në sistem.
Ish-deputeti u shpreh në favor të protestave me orë të zgjatura dhe përhapjes së tyre në të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke e konsideruar të domosdoshëm një zemërim popullor mbarëkombëtar. Maliqi deklaroi gjithashtu se mbështet skenarin e grevës së urisë, duke theksuar se deputetët duhet të jenë të parët që japin shembullin.
“Jam i pari që futem në grevë urie, nëse deputetët që kanë përfituar nga votat e qytetarëve futen në grevë. Kjo do të motivojë edhe opozitarët dhe demokratët të qëndrojnë,” u shpreh ai.
Mes skenarëve të tjerë, Maliqi përmendi rrethimin e Kryeministrisë, protestat në çdo qark të vendit, madje edhe marshimin drejt Surrelit, ku ndodhet banesa e kryeministrit Rama, duke theksuar se, sipas tij, “Rama nuk ikën me të mirë”.
