Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj situatës së përmbytjeve në vend, duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për, sipas tij, indiferencë dhe tallje cinike përballë një situate që kërcënon jetën dhe pronën e mijëra qytetarëve.
Në një deklaratë publike, Berisha theksoi se dhjetëra mijëra qytetarë kanë banesat dhe bizneset e përmbytura, ndërsa jeta e tyre është në rrezik të drejtpërdrejtë. Sipas tij, qeveria jo vetëm që nuk ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila do të detyronte mobilizimin e të gjitha burimeve shtetërore për ndihmë dhe shpëtim, por po tenton të shmangë përgjegjësinë përmes deklaratave ironike.
“Qeveria, narkoqeveria, bën një tallje cinike duke pretenduar se opozita po e akuzon për përmbytjet në Greqi e Itali. Kjo është një fantazi e sëmurë”, u shpreh Berisha, duke shtuar se kryeministri, sipas tij, po përjeton “netë tmerri për krimet e bëra evidente”.
Duke u ndalur te situata në Durrës, Berisha pranoi se reshjet e dendura janë shkaku kryesor i përmbytjeve, por theksoi se situata është përkeqësuar nga gjendja katastrofike e kanalizimeve dhe mosfunksionimi i hidrovorëve. Ai përmendi konkretisht hidrovorin e Porto Romanos, ku disa porta nuk funksionojnë, si dhe hidrovorin e Hamallajt, i cili, sipas tij, ka pompat e djegura. Po ashtu, Berisha deklaroi se kanalizimet janë të bllokuara nga ndërtime ose mungesa e pastrimit.
Një situatë veçanërisht shqetësuese, sipas kreut të PD-së, paraqitet në zonën e Novoselës, ku edhe Bashkia e Vlorës ka kërkuar evakuimin e banorëve. Ai u bëri thirrje qytetarëve të evakuohen sa më shpejt, duke paralajmëruar për rrezikun e shtuar nga rrjedhat e lumit Vjosa, të cilin e cilësoi si të paparashikueshëm dhe shumë të rrezikshëm në periudha reshjesh intensive.
Berisha përmendi gjithashtu përmbytjet e shkaktuara nga lumi i Drojës, i cili, ndonëse në kushte normale është një përrua, gjatë shtrëngatave kthehet në një lumë të rrëmbyeshëm, duke çarë argjinaturat.
Në fund, kreu i PD-së akuzoi qeverinë për mungesë totale pranë qytetarëve të prekur nga përmbytjet, duke ironizuar praninë e vetme të një ministri në burg, dhe dënoi ashpër, siç u shpreh ai, mosshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të cilën e cilësoi si një indiferencë çnjerëzore përballë emergjencës.
