Protestat studentore kanë përfshirë disa qytete të Francës, ndërsa mijëra nxënës dhe studentë kanë dalë në rrugë për të kërkuar më shumë financim për arsimin dhe shërbimet publike.

Në juglindje të Parisit, protestuesit bllokuan një rrugë dhe një kryqëzim kryesor, duke vendosur kosha plehrash dhe mbetje të ndryshme në rrugë. Fillimisht, policia qëndroi rreth 20 metra larg, por më pas ndërhyri për të larguar protestuesit dhe për të rikthyer qarkullimin.

Gjatë ndërhyrjes pati përleshje. Efektivët, të pajisur me mburoja kundër trazirave, u përballën me protestuesit që kishin krijuar një kordon me trupat e tyre. Policia nisi gjithashtu të largonte kazanët e përmbysur dhe mbeturinat e përdorura për bllokimin e rrugës.

Një prej protestuesve, Mael, tha se qeveria nuk po i dëgjon kërkesat e studentëve për rritjen e financimit të arsimit dhe shërbimeve publike.

“Qeveria nuk po i përgjigjet kësaj kërkese kur ne e kërkojmë në mënyrë paqësore. Mendoj se të paktën mund të përpiqemi të na dëgjojnë. Qeveria në fakt nuk po na dëgjon fare, për gjithçka që na nevojitet”, u shpreh ai.

Përleshje edhe në Strasburg

Tensione janë raportuar edhe në Strasburg, ku policia ndërhyri ndaj protestuesve. Efektivët e pajisur me mjete kundër trazirave i shtynë studentët prapa, ndërsa pati përplasje mes dy palëve.

Protesta janë zhvilluar edhe në qytete të tjera, përfshirë Lionin dhe Lilën, duke shënuar një ditë të gjerë mobilizimi studentor në Francë.

Sindikata franceze e nxënësve të shkollave të mesme pretendon se rreth 1,800 shkolla të mesme janë bllokuar, ndërprerë ose mbyllur për shkak të protestave.

Sipas raportimeve të BFM TV, organizatorët presin që në protestat në të gjithë vendin të marrin pjesë 150 mijë deri në 200 mijë persona, mes tyre nxënës të shkollave të mesme, studentë universitetesh dhe anëtarë të sindikatave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb