Familja e ish-presidentit amerikan Donald Trump nuk ka deklaruar më shumë se 100 dhurata të huaja, të cilat ai është dashur t’i deklarojë, pasi vlera e secilës prej tyre është mbi një kufi të paracaktuar, ndërsa vlera totale e këtyre dhuratave është më shumë se 250 mijë dollarë, thanë të premten deputetët demokratë.

Këto dhurata, shumë prej të cilave erdhën nga udhëheqës të huaj, janë të detajuara në një raport nga Demokratët e Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve. Ato përfshijnë një grup librash nga presidenti Xi Jinping i Kinës dhe shkopinj golfi të veshur me ar, dhënë Trumpit nga kryeministri i atëhershëm japonez Shinzo Abe.

Raporti prej 15 faqesh thekson se Trump gjithashtu dështoi të deklaronte një qilim mëndafshi prej 12,000 dollarësh nga presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev dhe një tekst shkollor prej 35,000 dollarësh me dorezë fildishi, që i ishte dhënë atij nga udhëheqësi i Katarit Tamim bin Hamad Al Thani.

Një portret shumë i madh i Trump që i është dhuruar atij nga Presidenti i El Salvadorit Naguib Buquele gjithashtu nuk u gjet nga komiteti, sipas raportit të tij. Vendndodhja e disa prej dhuratave, përfshirë portretin, nuk dihet, thanë demokratët.

“Demokratët në komitet janë të përkushtuar për të gjetur vendndodhjen përfundimtare të këtyre dhuratave të shtrenjta që janë zhdukur,” tha Jamie Raskin, D-Maryland, që udhëhoqi hetimin e kongresit, duke shtuar se demokratët gjithashtu duan “të zbulojnë nëse këto dhurata mund të jenë përdorur për të ndikuar në politikën e jashtme të presidentit”.

Raskin tha gjithashtu se gjetjet e Komisionit hedhin dritë mbi “mospërfilljen e pacipë të Shtëpisë së Bardhë për sundimin e ligjit dhe keqpërdorimin sistematik të dhuratave të mëdha nga qeveritë e huaja”. Mosdeklarimi i këtyre objekteve është në kundërshtim me ligjin, nënvizoi ai.

Kjo listë e gjatë përfshin gjithashtu dhurata të huaja për anëtarët e familjes Trump, duke përfshirë Melania Trump, Jared Kushner dhe Ivanka Trump.

Kushner kishte marrë një shpatë nga Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman dhe Ivanka Trump kishte marrë një arush pelushi prej 1200 dollarësh nga kancelari austriak Sebastian Kurz, si dhe një portret të saj me perla që i ishte dhënë në vitin 2017 nga presidenti palestinez Mahmoud Abbasi. Bashkëshorti i Ivanka Trump, Jared Kushner, ishte arkitekti i strategjisë së Donald Trump për Lindjen e Mesme.

Raporti shton se Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve po kërkon edhe të dhëna të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb