Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, u shpreh se Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhet derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim për zëvendës kryeministren Belinda Balluku.
“Po rikujtoj një diskutim që kemi bërë në Këshillin e Mandateve që kam 100% të drejtë. Sa kohë kuvendi është palë në Gjykatën Kushtetuese në këtë çështje duhet të presë vendimin e GJK. Në vlerësimin tim ky është qëndrimi”, tha Balla.
AKUZAT E BALLUKUT:
Ndryshe nga më parë, kur numri dy i qeverisë ishte e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe, SPAK njoftoi më pas se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë.
“Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, thuhet në kërkesën e SPAK ku kërkohry dhe arrestimi i zv. Kryeministres.
