Marjana D. është një ndër ata qindra pensionistë që ju drejtua gjykatave për të vërtetuar se ajo kishte punuar në kooperativë gjatë komunizmit dhe se dokumentet ishin zhdukur.

Të moshuarës, nga trazirat nuk i përmbusheshin vitet dhe në këto kushte ajo nisi betejën dhe zvarritjen në gjyqësor. Objekti i padisë të të moshuarës i dorëzuar në Gjykatën e Krujës kishte si të paditur Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Durrës dhe objekti ishte vënia në lëvizje e gjykatave për ti provuar asaj angazhimin në ish kooperativat bujqësore.

“Kërkoj vërtetim të faktit juridik se unë M.D kam qenë në marrëdhënie pune pranë ish kooperativës Bilaj për periudhën nga vitit 1981 deri në vitin 1988 dhe se kam realizuar normën 230 ditë për çdo vit kalendarik”.

Por e moshuara, “ndonëse këmbëngulte se punoi në kooperativë, nuk kishte me vete asnjë dokument që e provonte diçka të tillë”, përmend gjykata për Gazetasi.al, duke prekur një nga fenomenet më të spikatura në të gjitha gjykatat shqiptare. E lodhur nga mohimi i të drejtës së pensionit, e moshuara këmbëngul se në vitin 2020 u publikua një vendim i Këshillit të Ministrave numër 432/2021 ku flitej për ish kooperativat dhe mungesën e dokumenteve.

“Në këtë listë gjendet edhe rrethi Krujë, ku përfshihen ish Kooperativa Bujqësore Borizanë, Thumanë dhe Bushnesh duke mos u përfshirë ish Kooperativa Bujqësore Bilaj”, këmbëngul e moshuara sipas të cilës shteti nga mos përmbushja e dokumenteve i lidhi pension të pjesshëm për vjetërsi në punë prej 18 vite e 3 muaj.

“Nuk mu njoh periudha e punës në kooperativë”, shton e moshuara në gjykatë.

Gjykata vlerëson se duke depozituar një kërkesë me numër 540 në vitin 2020, gruaja nisi proceset pasi ju dha pension pleqërie i paplotë dhe ajo ende vazhdon të presë në gjykatën e Krujës.

Por teksa ligji thotë se “Njihet si periudha e sigurimit për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore koha e punësimit në ish-kooperativat bujqësore, nga mosha për punë në kooperativat bujqësore e përcaktuar në legjislacionin e kohës, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991” dhjetra të moshuar vazhdojnë të presin gjykatat dhe për pasojë vendimet e tyre për të fituar pensionin e plotë.

“Nuk mund të deklaroj me përgjegjësi dhe saktësi se sa është numri i paditësve që janë të moshuar dhe që presin aktualisht në Gjykatën e Apelit Administrativ”, deklaroi një nga gjyqtarët e Gjykatës Administrative në kryeqytet, sipas të cilit gjatë prononcimit për Gazetasi.al fluksi i dosjeve ka krijuar ngërç dhe për pasojë drejtësi të vonuar për këtë kategori.

“Ka prej atyre të moshuarve që mund të kenë ndërruar jetë dhe është për të ardhur keq që ne nuk mundemi të shqyrtojmë në kohë padi të tilla”, deklaroi më tej gjyqtari në anonimitet.

Por mes shumë kërkesave të drejtuara gjykatës, ka nga ata shtetas që kërkojnë përshpejtim të procesit për shkak të moshës.

“Po shkoj 72 vjeçe dhe dua që ta shijoj pensionin e pleqërisë”, thotë Fitnete P., një grua e cila vuan nga diabeti dhe ka një sërë komplikacionesh të tjera, por që edhe ajo nuk po vërteton dot 12 vite të zhdukura në ish kooperativat e Bulqizës.

Të njëjtin fat pati edhe Floresha A. e cila aktualisht jeton në kryeqytet por dikur jetoi dhe punoi në fshatin Damës. Ajo vazhdon të presë nga gjykatat pasi Drejtoria Rajonale e ISSH e njoftoi se nga verifikimet e kryera rezulton se nuk disponohet dokumentacion nga Arkivi i Fierit.

“Për vitin 1986 në ish kooperativën bujqësore Damës nuk figuron emri i paditëses dhe se për muajt shtator-tetor 1997 dhe tetor 2002, paditësja nuk ka emrin në listëpagesa. Pala e paditur ka vlerësuar se paditësja ka 13 vite e 4 muaj punë duke kthyer dokumentet deri në përmbushjen e kushtit të vjetërsisë”, shkruan institucioni i paditur për zhdukjen e dokumenteve duke i dhënë vërtetim negativ për vjetërsinë në punë ndonëse në shkresa pranohet se dokumentacioni për këtë ish kooperativë është djegur në atë kohë.

Historitë që ju vendosën në dispozicion Gazetasi.al nga Gjykatat administrative për të moshuar që nuk po sigurojnë dot dokumentacionin janë nga më të ndryshmet që lidhen jo vetëm me zhdukjen e shkresave gjatë kohës së kumunizmit për ish kooperativat por edhe për ndërmarrjet gjatë vitit të trazuar 1997.

Një ndër ta, Zamir T. gjendet nën proces gjyqësor pranë Gjirokastrës pasi angazhimi i tij në ndërmarrjen e farave në Përmet nuk vërtetohet.

“Ky shtetas ka punuar në këtë ndërmarrje nga 1 janari 1988 deri në mars 1997 por vitet nuk provohen për shkak të zhdukjes së dokumenteve”, përmendet në padinë administrative.

“Nëse do të jepja një shifër të përafërt mund të them se numri i të moshuarve që vazhdojnë prej vitesh të kenë këtë problem, për të mos thënë dekada histori gjyqësore shkon nga 5 mijë deri në 6 mijë të tillë dhe është një fenomen shqetësues, diçka që shteti nuk po arrin ta zgjidhë ndonëse në fund të vitit të kaluar u kërkua një shfryrje e dosjeve në Gjykatën e Lartë duke listuar rastet se kur shteti heq dorë nga rekurset. Ndoshta institucionet që kanë rekursuar padi të tilla duhet të tërhiqen sepse është kaluar përtej çdo limiti human për ti garantuar qytetarëve të drejtën e një pensioni”, mbyll për Gazetasi.al burimi pranë Gjykatës së apelit administrativ.

Nga ana tjetër, shumica e çështjeve që lidhen me ish kooperativat po procesohen nga gjykatat me thirrjen e dëshmitarëve si banorë apo punëtorë që vërtetojnë se paditësi ka punuar në ish kooperativën bujqësore por edhe kjo mënyrë kërkon kohë dhe seanca që vetëm zgjatin dhe që rrallë herë japin drejtësi në kohë./GazetaSi

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb