Gazetari Osman Stafa, që ka ndjekur nga afër ngjarjen e paprecedentë dje në Qendrën Spitalore ‘Nënë Tereza’, ku për gati 40 minuta iku energjia elektrike, deklaroi se ngjarja duhet të hetohet për shpërdorim detyre.
Ai tha në programin e drekës në Neës24, se Ministria e Shëndetësisë duhet të kishte reaguar dhe të tregonte se çfarë kishte ndodhur.
“Janë 3 linja për të garantuar energjinë elektrike në QSUT. Por asnjë nga ato s’ka funksionuar. Për situatën e ndodhur mbrëmë, ku për 30-40 minuta, nuk ka pasur energji në QSUT, duhet të kishin nisur hetimet. Është shpërdorim i hapur detyre. A vendoset gjeneratori në punë? Ne nuk dimë se çfarë ndodhi. Çfarë ndodhi që një prej ndërtesave kishte energji dhe në tjetrën nuk kishte?! QSUT, drejtoria, Ministria e Shëndetësisë, nuk ka dalë që të deklarojë; ka ndodhur kjo gjë, kemi marrë këto masa dhe pritet kjo gjë! Edhe në kohë lufte, një spitali nuk i ikën energjia. Këta çfarë bënë, të detyruar ditën e djeshme, i morën pacientët nga reanimacioni qendror, duke i dërguar në reparte të tjera. Aty janë dy godina.”, tha ai.
