Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia për ndërprerjen e energjisë elektrike mbrëmjen e së hënës në QSUT, duke rrezikuar jetën e pacientëve të ndodhur në reanimacion.

Meta ironizoi qeverinë teksa thotë se incidenti që vuri në rrezik jetën e njerëzve është një “sukses” i shëndetësisë falas, i koncesioneve korruptive por edhe miliona eurove të investuara në energjetikë.

“Ky është “suksesi më i madh” i shëndetësisë falas, i koncensioneve korruptive dhe i qindra milion euro investime në sektorin energjetik. Vjedhja skizofrenike, duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve edhe në spitale, është kriminale.”, u shpreh kreu i PL.

QSUT reagoi pas incidentit duke thënë se ndërprerja ka qenë e përkohshme dhe se aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht.

Shefi i Shërbimit Anestezi Reanimacionit, Krenar Lilaj tha për mediat më herët sot se defekti ishte i rëndë, por se jeta e pacientëve nuk u vu në rrezik. Ai u shpreh se pacientët me aparat të ventiluar janë të pajisur me ‘backup’, duke mundësuar funksionimin edhe pas ndërprerjes së energjisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb