Zv/kryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka folur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile pas situatës me motin e keq ditën e djeshme.
Pavarësisht se aksi Qukës-Qafë Plloçë, me një kosto prej 260 milionë eurosh është bllokuar dhe ende nuk ka një njoftim zyrtar për nisjen e qarkullimit të automjeteve, Balluku u shpreh se akset rrugore kombëtare janë të gjitha funksionale.
Sipas saj problematika ka pasur vetëm në akset rurale, për të cilat tha se janë përgjegjësi e bashkive përkatëse për t’u mirëmbajtur.
Sakaq, Balluku shtoi se ka pasur inerte që kanë zbritur nga skarpatet e maleve edhe në rrugë “të konsoliduara”, sipas saj, si në rastin e Gjirokastër-Tepelenë.
Ajo u shpreh se fakti që në Shqipëri ka pasur shumë zjarre dhe në jug ka mungesë të bimësisë, situata është bërë më sfiduese për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Akset rrugore janë të gjitha funksionale, i referohem akseve kombëtare. Ndërsa ka pasur problematika në akset rurale që mirëmbahen nga bashkitë. Ka pasur inerte që kanë zbritur nga skarpatet e maleve edhe rrugët që janë të konsoliduara ndër vite si Shkalla e Zezë nga Gjirokastra në Tepelenë. Fakti që kemi patur shumë zjarre dhe ka mungesë bimësie në jug e ka bërë sfiduese situatën për mirëmbajtjen e rrugëve”, tha ajo.
