Protesta ka marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë nisur edhe fjalimet e para përpara godinës së Kryeministrisë.
Mes folësve të parë, aktivisti Andi Tepelena i është drejtuar turmës së madhe të qytetarëve, duke theksuar se gjatë këtij muaji qëndrese ka lindur një shpresë e madhe për të përfunduar misionin e nisur që në vitin 1991 për rrëzimin e plotë të këtij sistemi.
Tepelena vuri theksin te rëndësia e rinisë brenda dhe jashtë vendit, si dhe te mbështetja e rëndësishme që po vjen nga faktori ndërkombëtar, specifikisht nga Gjermania.
“Ka një muaj që ka lindur një shpresë e madhe. Qytetarët dhe rinia janë ngritur për të shporrur këtë regjim, aty ku e lamë në vitin 1991. Janë këta të rinj që jetojnë këtu, në diasporë, që mezi presin të çlirohen nga ky sistem korruptiv, të rrëzohet kjo kastë korruptive që po mban peng zhvillimin e vendit. Shqipëria është e mbushur me talente. Me njerëz të talentuar në çdo fushë dhe janë ata që do marrin fatet e vendit në dorë. Sot Gjermania është në krah të shqiptarëve. Për herë të dytë ambasadori gjerman në Shqipëri ka riafirmuar rëndësinë e protestës si e drejtë demokratike”, deklaroi Tepelena në fjalën e tij.
