Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar gjatë mbledhjes së Kryesisë se rruga e vetme e aksionit opozitar do të jetë protesta e qytetarëve, për t’u përballur me Qeverinë, ndërsa shtoi se çdo lëvizje tjetër shërben si “zjarrfikëse” për aksionin opozitar. Deklarata e Berishës u duk si mesazh për anëtarin e Kryesisë së PD, Ervin Salianji i cili ka nisur takimet për energjizimin e strukturave të PD.

Berisha u shpreh se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet përmes protestës, pavarësisht numrit të pjesëmarrësve. “Qytetarët duhet të flasin me protestën e tyre. Sa mund të jenë? 1 mijë, 2 mijë… 300. Nuk ka rëndësi”, tha Berisha.

Deklarata vjen në një moment debatesh të brendshme në Partinë Demokratike, teksa si Sali Berisha ashtu edhe Ervin Salianji kanë nisur takimet në terren, ndërsa nuk kanë munguar as “thumbat” për njëri-tjetrin në distancë.

Sali Berisha: Kemi vetëm një rrugë, protestën. Qytetarët duhet të flasin me protestën e tyre. Sa mund të jenë? 1 mijë, 2 mijë…300. Të gjitha rrugët e tjera janë rrugë zjarrfikësish. Duhet t’i shohim gjërat siç është. Ne nuk bëhemi kurrë zjarrfikës. Por ne kemi një problem një problem themelor për të zgjidhur, kemi një problem për të cilin duhet të jemi shumë të sinqertë dhe të hapur, ekzistencës ose mos ekzistencës tonë. Pse kështu? Në vitin elektoral u arrestuan drejtuesit e opozitës.

Në këto kushte qytetarët votuan 500 e ca mijë për opozitën, votuan PD-në si parti të parë. PD është para një alternative, do të vazhdojë të mbetet opozitë e farsave elektorale apo do të përcaktojë qëndrimet e saj për rrëzimin e këtij armiku të egër të votës së shqiptarëve, për të shkuar në qeveri teknike…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb