Qytetarët e Maliqit janë shprehur kundër propozimit për riorganizimin territorial dhe shkrirjen e Bashkisë së Maliqit me Korçën.

Sipas një burimi brenda takimit me kryeministrin Edi Rama, pjesëmarrësit kanë kundërshtuar bashkimin, duke kërkuar që Maliqi të vijojë të funksionojë si bashki më vete.

“Mos e shkrini”, “Ne jemi kundër”, “A do t’i shkelë të gjithë kryetari vendet dhe fshatrat?”, “Ndryshoni, vendimin mos e shkrini Maliqin”, ishin disa nga shqetësimet e përcjella gjatë takimit.

Burimi bën me dije se kundërshtimi është shprehur nga qytetarë të ndryshëm, punonjës të administratës, por edhe përfaqësues të sektorit të bujqësisë, të cilët kanë ngritur shqetësime për zonën e fushës së Maliqit dhe problematikat e saj.

Sipas të njëjtit burim, në takim është pretenduar se rreth 97 për qind e qytetarëve janë kundër shkrirjes së Bashkisë së Maliqit.

Ndërkohë, gjatë diskutimit, kryeministri Edi Rama është shprehur se situata në Korçë dhe Maliq paraqitet ndryshe, duke thënë se korçarët nuk shprehen kundër bashkimit, ndërsa banorët e Maliqit janë të shqetësuar dhe të pakënaqur nga propozimi.

Rama ka thënë brenda takimit, që reforma territoriale do vazhdojë edhe më tej, ku pas disa vitesh priten të shkrihen bashkia e Kolonjës dhe e Devollit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: