Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, i ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, foli për protestën studentore, duke u ndalur te mbështetja e akademikëve, presionet ndaj pedagogëve dhe studentëve, si dhe kërkesat për ndryshimin e sistemit.
Kovaçi deklaroi se akademikët nuk kanë qëndruar indiferentë ndaj protestës, por kanë shprehur mbështetjen e tyre përmes deklaratave publike, shkrimeve dhe qëndrimeve të ndryshme.
Gjatë intervistës, pedagogu ngriti shqetësimin për presionet që, sipas tij, janë ushtruar ndaj pedagogëve dhe studentëve në disa universitete të vendit, duke përmendur Durrësin dhe Gjirokastrën.
Ai tha se edhe vetë është përballur me intimidime, duke përmendur ndër të tjerë kryeministrin dhe Taulant Ballën, si dhe pretendoi se studentët janë përballur me presionin e policisë.
“Si profesorat ne kemi thënë që do të jemi te studentët. Akademikët nuk kanë heshtur, kanë qenë prezentë , por edhe në shkrime, nëpër deklarime publike…Janë shprehur për mbështetjen e protestës, kanë dhënë kontribut. Dhe ka të tjerë që mbështesin publikisht studentët, është e pafalshme që të qëndrosh indiferent në këtë situatë.
Ka patur nëpër rrethe kryesisht, kemi pasur informacione për presion, në Universitetin e Durrësit, në Gjirokastër, unë personalisht i kaloj me sportivitet…Duke nisur nga këto intimidime që më kanë bërë mua që nga Taulant Balla, apo kryeministër, apo të tjerë gazetarë…Edhe ndaj studentëve është ushtruar presion.
Edhe nga pedagogët mund të ketë pasur në mënyrë tërthore duke i bërë mesazhe që të marrin pjesë në mësim. Presioni i madh që ka qenë të studentët ka qenë me anë të presionit të policisë…Studentët e kanë kuptuar që ky sistem i manipuluar, dhe me të drejtë thonë se duhet të ndryshojë sistemi dhe që të krijohen institucione të reja demokratike”, tha ai.
