Sekretari i Përgjithshë i Partisë së Lirisë, Ted Blushi nëpërmjet një reagimi në Facebook ka ndarë një shqetësim lidhur rritjen e çmimeve.

Blushi thekson se ulja e TVSH për produktet bazë të shportës ushqimore, nga 20% në 5%, është një masë emergjente dhe jetike për mijëra familje në nevojë.

Tedi Blushi është shprehur kritik ndaj qeverisë, duke thënë se qytetarët nuk janë prioritet i kryeministrit Rama.

REAGIMI I PLOTË:

Ulja e TVSH-së për produktet bazë të shportës ushqimore, nga 20% në 5%, është një masë emergjente dhe jetike për mijëra familje në nevojë. Ky është thelbi i projektligjit të Partisë së Lirisë, që prezantuam sot në Komisionin e Ligjeve, së bashku me kolegen Erisa Xhixho.

Miratimi i këtij projektligji do të ulte ndjeshëm çmimet, të cilat parashikohen të rriten me rreth 3% vitin e ardhshëm, dhe do të lehtësonte kostot gjithnjë e më të papërballueshme të jetesës, veçanërisht për pensionistët.

Megjithatë, PS e rrëzoi propozimin tonë, sepse prioriteti i tyre nuk është interesi publik. Por çfarë mund të jetë më jetike për një pensionist, për një familje në vështirësi ose për çdo qytetar që jeton ndershmërisht, sesa ulja e çmimeve për 23 produktet bazë të shportës? Nga mielli, makaronat dhe orizi, te buka, mishi, frutat e perimet, të cilat sot kushtojnë deri 50% më shtrenjtë se në vendet e BE-së, ku të ardhurat janë shumëfish më të larta.

Qytetarët nuk janë prioritet i Edi Ramës. Nëse për oligarkët klientelistë detyrimin tatimor e uli në 6%, për ushqimet e shportës ai i detyron pensionistët të paguajnë TVSH 20%. Pa përmendur që pasanikëve që blejnë jahte ua hoqi krejtësisht TVSH-në.

Ne kemi mbajtur fjalën dhe do të vazhdojmë të luftojmë çdo ditë për interesat e shqiptarëve.

Kjo është fytyra e kësaj Qeverie, që i zhvat qytetarët që luftojnë për bukën e gojës dhe u hap rrugën investitorëve miliarderë, që ndërtojnë kulla, pallate e resorte, ndërsa tokat publike ua jep me 1 euro për metër katror.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: