Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve në Facebook, ku komentoi strategjinë e opozitës për protestat në vijim.

Berisha theksoi se strategjia do të vijë duke u fuqizuar, por do të mbetet brenda platformës së “kryengritjes paqësore”. Sipas tij, dhjetëra mijëra qytetarë kanë mbushur për herë të katërt sheshin dhe bulevardin, duke protestuar kundër qeverisë.

“Unë kërkoj mirëkuptimin e çdo qytetari që ka mundësi të dalë, por e ndjek protestën nga televizori. Këta dhjetëra mijëra qytetarë që mbushin bulevardin, a kanë të drejtë të protestojnë? A është akt kriminal të përdorësh pushtetin për të vjedhur qytetarët dhe më pas të bësh ligjin?”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se heshtja në raste të tilla nuk është e pranueshme dhe e cilësoi pjesëmarrjen në protestë si një thirrje ndërgjegjeje qytetare, pavarësisht bindjeve politike.

“Strategjia jonë do të vijë duke u fuqizuar, por duke qëndruar te platforma e kryengritjes paqësore. Sot, siç e shihni, janë dhjetëra mijëra qytetarë që, për të katërtën herë radhazi, mbushin sheshin dhe bulevardin. Por unë kërkoj mirëkuptimin e çdo qytetari që ka mundësi të dalë, por e ndjek protestën nga TV.

Këta dhjetëra mijëra qytetarë që mbushin bulevardin, a kanë të drejtë të protestojnë? A është akt kriminal të përdorësh pushtetin dhe të vjedhësh qytetarët, e më pas të bësh ligjin? A është e pranueshme heshtja në këto raste? A nuk është kjo një thirrje ndërgjegjeje qytetare për secilin, pavarësisht bindjeve që ka, pa parti, i majtë apo i djathtë, që të dalë në shesh për të mos u pajtuar me këtë gjë?

Ne nuk do të ndalemi deri në rrëzimin e Ramës. Do të vijojmë me frontin e dytë. Dallimi është i jashtëzakonshëm. Edi Rama i kishte për kauza të padrejta, ne i kemi për kauzë të drejtë dhe adrenalina jonë është persistenca, ne nuk heqim dorë deri në rrëzimin e tij. Edhe njëherë Fatos, ne të gjithë duhet ti shndërrojmë këto protesta në çështje nderi dhe dinjiteti për çdo qytetar, që nuk pajtohet me vjedhjen, me poshtërimin e tij dhe të Shqipërisë. Që nuk pajtohet me rrokullisjen e madhe demografike të këtij vendi, boshatisjen e tij. Por duhet ti shtrojmë këto protesta në çështje interesi themelor të çdo shqiptari, që nuk pajtohet me vjedhjen e pasurive të tij. Nuk pajtohet me padrejtësitë që i bëhen, nuk pajtohet me faktin se fëmijët e tij detyrohen të largohen nga Shqipëria. Mendoj se ne duhet të punojmë fort në dy fronte dhe ky front i dytë është jashtëzakonisht për fitoren tonë. Mos harroni se, e thashë dhe dje, e them prap dhe sot. Në qoftëse se Enver Hoxha shtatorja e tij u rrëzua në shkurt të 1991, ai kishte vdekur në vitin 1985. Pra u deshën 5 vjet për të shembur atë shtatore. Edi Rama është i vdekur politikisht. Nuk duhet të pranojmë kurrë një kufomë politike në pushtet duhet të angazhohemi ta largojmë sa më shpejt.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: