Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Sali Berisha, zhvilloi si çdo të shtunë një komunikim online me qytetarët.

I pyetur nga qytetarët se përse në PD nuk ka garë sa i përket zgjedhjes së kreut të ri të partisë, ku kandidat i vetëm i regjistruar është Sali Berisha, ai u përgjigj se nuk mund të pranohen kandidaturat e atyre që kanë tradhtuar partinë.

“PD ka garën më të ndershme dhe formën më demokratike të garës që mund të ekzistojë. Kryetarët e partive në partitë tona simotra, vetëm në një pjesë të vogël zgjidhen nga anëtarësia, të tjerët zgjidhen nga forumet. Mos bini pre e propagandës së atyre që zhdukën votën e lirë në PD. PD është nga ato parti të pakta në botë ku kryetari zgjidhet me votën e anëtarësisë.

Në garë pranohen dhe do pranohen demokratët që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Besoj se kjo është gara më e rëndësishme e partisë, ndaj duhet të përfaqësojë anëtarësinë. Mund të imagjinosh që në garë të marrin pjesë kandidatë të Ramës apo në fushatë punojnë hapur kundër PD, apo ndërruan parti dhe punuan për parti tjetër. Në çdo parti në botë këto përjashtohen për tradhti në moment beteje ndaj partisë. Është jashtë çdo logjike që të mendohet se do të mund të kandidojnë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb