Kryebashkiaku i Kharkivit ka deklaruar se bombardimet ruse po shkaktojnë viktima të rënda te civilët, ndërsa zotohet se qyteti nuk do të bjerë në duart e forcave pushtuese të Vladimir Putinit.
Igor Terekhov thotë për BBC se luftime intensive po zhvillohen në të gjitha anët e qytetit, duke shtuar se situata është shumë e rrezikshme. Kryebashkiaku pohon se trupat ruse po hedhin granata dhe gjuajnë me raketa në zonat e banuara. Po ashtu ai pohon se ka marrë raporte se forcat e Moskës kanë shpërthyer një të ashtuquajtur “bombë vakum” në qytet.
“Ata (Rusia) hodhën kundër Kharkiv të gjitha forcat e imagjinueshme dhe një numër i madh tankesh po i afrohen Kharkiv,” thotë kryebashiaku. Ai shton se sulmi rus “nuk ndalet kurrë”, ndërsa i bën thirrje botës që “të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndaluar agresorin”.
“Qyteti i Kharkivit do të mbajë dhe sot. Kharkiv është i bashkuar si kurrë më parë. Gjendja është serioze dhe të gjithë janë të përqendruar, por qyteti është i bashkuar dhe do të qëndrojë i palëkundur,” thotë ai.
