Elon Musk, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i SpaceX, ka folur së fundmi për planet e tij ambicioze në lidhje me raketën Starship dhe qëllimin e hershëm për të dërguar njerëz në Mars – një objektiv që ai e ka përmendur prej dekadash.
Pavarësisht disa sfidave gjatë testimeve, SpaceX ende synon të realizojë një mision në Mars vitin e ardhshëm. Raketat Starship kanë pësuar disa shpërthime gjatë fluturimeve provë, por kjo nuk e ka ndalur përparimin.
“Masa e progresit është koha që na duhet për të ndërtuar një qytetërim të qëndrueshëm në Mars,” tha Musk gjatë një prezantimi për zhvillimin e Starship. Raketa përbëhet nga dy pjesë kryesore të ripërdorshme: përforcuesi gjigand Super Heavy, që është 52 metra i gjatë, dhe pjesa e sipërme e quajtur thjesht “Starship”.
Deri më tani janë kryer nëntë teste, i fundit më 27 maj, kur raketa arriti në hapësirë por pësoi një problem teknik – një rrjedhje shtytëse – që solli humbjen e kontrollit dhe hyrjen e pakontrolluar në atmosferë mbi Oqeanin Indian.
Testet e mëparshme në janar dhe mars gjithashtu përfunduan me shpërthim pas më pak se 10 minuta fluturim dhe pjesët përfunduan në Oqeanin Atlantik. Megjithatë, Musk mbetet optimist, duke theksuar përmirësimin e performancës në fluturimin e fundit dhe rëndësinë e të dhënave të mbledhura për analizë dhe zhvillim të mëtejshëm.
Gjatë një tjetër paraqitjeje në Starbase, vendi ku prodhohet dhe testohet Starship, Musk u shpreh se çdo fluturim sjell njohuri të reja që ndihmojnë në përsosjen e anijes dhe në realizimin e ëndrrës për ta bërë njerëzimin një specie ndërplanetare. Starship konsiderohet raketa më e madhe dhe më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë, me një lartësi aktuale prej 121 metrash. Versioni i ardhshëm, i quajtur Version 3, do të jetë 124.4 metra i gjatë dhe është menduar të jetë ai që do të shkojë në Mars dhe të ndihmojë në kolonizimin e tij.
Sipas Musk, ky version pritet të kryejë fluturimin e parë deri në fund të këtij viti, dhe nëse gjithçka ecën siç duhet, do të jetë gati për një mision në Mars pas rreth një viti.