Irani sulmoi me 10 raketa bazën ajrore amerikane Al Udeid, në periferi të Dohas, Katar. Deri tani raportohet se nuk ka dëme në njerëz nga goditja.

“Mbrojtja ajrore e Katarit pengoi sulmin dhe interceptoi me sukses raketat iraniane”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, për X.

Baza, shtoi zëdhënësi, “ishte evakuuar më parë në përputhje me masat e miratuara të sigurisë dhe masat paraprake”.

Teherani sulmoi me 10 raketa balistike, numër i njëjtë ky me bombat që hodhën avionët amerikanë B-2 në impiantet bërthamore iraniane. Katari njoftoi gjithashtu se Teherani e kishte njoftuar paraprakisht për sulmin. Një hakmarrje e paralajmëruar por me qëllim minimizimin e dëmeve.

“Jemi të sigurt se mbrojtja ajrore e Katarit pengoi sulmin dhe interceptoi me sukses raketat iraniane”, thuhet në deklaratën e Katarit.

Ministria e Mbrojtjes shtoi: “Falë Zotit, vigjilencës së forcave të armatosura dhe masave paraprake të marra, incidenti nuk rezultoi në vdekje ose lëndime.”

Burime të larta diplomatike në rajon më kanë thënë se Irani ka shënjestruar bazën ajrore më të madhe të Amerikës në Lindjen e Mesme – al Udeid në Katar.

Por ka raportime se SHBA-të dhe vendet e Gjirit në rajon kanë pasur disa njohuri paraprake përpara se Irani të niste raketat e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb