Kryeministri Edi Rama ka inspektuar progresin e punimeve në lagjen e rindërtuar “5 Maji” dhe ka pasur batuta të shumta me banorët e zonës.
Gjatë vizitës, një qytetare i tha atij: “Nja 10 veta si ju kryeministër, ne do të ishim ku e ku”. Rama e ka marrë me humor, duke iu përgjigjur: “Nuk i kërkoja dot nënës sime të bënte dhe nja 10 si puna ime, sepse edhe mua mezi më bëri, me vëllain. Unë i dola me telashe të mëdha!”
Përveç humorit, Rama ka folur edhe për zhvillimin e infrastrukturës, duke theksuar se janë shpërndarë njësitë e shërbimit dhe se zona do të marrë jetë së shpejti. Ai gjithashtu ka përmendur lidhjet e reja të transportit dhe ka shtuar se është shumë e rëndësishme që të merren parasysh detajet e punimeve për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të zonës.
Kryeministri ka kritikuar zyrtarët që e shoqëronin për punimet, duke kërkuar që çdo detaj të merret me kujdes dhe të bëhet ashtu siç duhet, për të siguruar cilësinë e projekteve të përfunduara.
(BalkanWeb)
