Anëtari i Këshillit Kombëtar, Ilir Alimehmeti, i ftuar në News24, ka komentuar protestën studentore që vijon prej ditësh në Tiranë, duke e cilësuar atë një nga lëvizjet më të mëdha dhe frymëzuese të viteve të fundit. Sipas tij, protesta ka treguar qartë vullnetin e qytetarëve për ndryshim, ndërsa kërkesat e studentëve janë të qarta: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Alimehmeti tha se lëvizja studentore ishte e paparashikuar nga publiku dhe politika, ndërsa vlerësoi se të rinjtë kanë dëshmuar se nuk janë një brez pasiv, siç mund të perceptoheshin më parë.

Ai kritikoi reagimet e kryeministrit ndaj protestuesve, duke kujtuar se Rama i ka etiketuar ata në mënyra të ndryshme, ndërsa tani po propozon dialog dhe komunikim përmes një platforme dixhitale.

“Me sa duket, paska ende njerëz që dëgjojnë Edi Ramën. Personalisht, nuk e dëgjoj më prej kohësh”, u shpreh Alimehmeti në News24, duke shtuar se kryeministri i ka dëgjuar kërkesat e qytetarëve, por nuk i ka marrë parasysh.

Sipas tij, mungesa e besimit te Rama është arsyeja pse protestuesit nuk kërkojnë më dialog, por dorëheqjen e tij. Alimehmeti argumentoi se ofertat e fundit të kryeministrit synojnë të zbusin presionin ndaj qeverisë dhe të shmangin përgjegjësinë për problemet e akumuluara.

Alimehmeti solli në vëmendje protestën studentore të vitit 2018, duke përmendur premtimet e asaj kohe për përmirësimin e kushteve universitare dhe ndërtimin e kampusit.

“Ju kujtohet kampusi universitar i famshëm? Ku është kampusi universitar? U bënë tetë vjet. Nuk është ndërtuar asnjë guralec”, u shpreh ai, duke argumentuar se breza të tërë studentësh kanë përfunduar studimet pa përfituar nga premtimet e dhëna.

Sipas Alimehmetit, qeveria nuk ka përmbushur as angazhimet e marra përmes Paktit të Universitetit.

“Janë gënjeshtra edhe të gjitha premtimet për Paktin e Universitetit. Nuk i ka realizuar”, deklaroi ai, duke akuzuar Ramën se premton një gjë dhe bën të kundërtën.

“Do t’u sjellë ujë, nuk ka ujë. Do t’i ulë çmimet, nuk i uli. Tha se do të ulte taksat, i rrit. Do të ulte akcizën për naftën, nuk e uli për 13 vjet”, tha Alimehmeti, duke renditur premtimet që, sipas tij, nuk janë përmbushur.

Duke iu referuar qëndrimit të kryeministrit për dorëheqjen, ai u shpreh me ironi: “Thotë që nuk do të japë dorëheqjen. Kuptojeni vetë kush është e kundërta. Do ta japë dorëheqjen”.

Gjatë intervistës, Alimehmeti bëri edhe një krahasim mes situatës politike në Shqipëri dhe zhvillimeve në Serbi, duke iu referuar protestave kundër presidentit Aleksandar Vuçiç.

Ai komentoi deklaratat e Vuçiçit për kryeministrin shqiptar, duke vënë në dukje se presidenti serb e ka këshilluar Ramën për mënyrën se si duhet të sillet me protestuesit.

“Ky që na thoshte neve ‘jeni agjentë të huaj’, këshillohet me Vuçiçin”, u shpreh Alimehmeti, duke kritikuar qëndrimin e kryeministrit ndaj protestuesve.

Sipas tij, protestat e vazhdueshme mund të mos sjellin ndryshime të menjëhershme, por ushtrojnë presion mbi pushtetin dhe mund të dobësojnë mbështetjen politike për drejtuesit.

Alimehmeti pretendoi se Rama dhe Vuçiçi kanë ngjashmëri në mënyrën e ushtrimit të pushtetit, por bëri një dallim mes tyre, duke akuzuar kryeministrin shqiptar se është i gatshëm të sakrifikojë interesat e vendit për të ruajtur pushtetin.

“Rama është i gatshëm të shesë çdo gjë të këtij vendi vetëm për veten e vet, që të ketë interesat e veta dhe të ecë përpara”, deklaroi ai.

Në përfundim, Alimehmeti u shpreh se presioni ndaj Ramës do të vijë duke u shtuar dhe se protestat e vazhdueshme mund të ndikojnë në të ardhmen e pushtetit të tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb