TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur në seancë plenare për sistemin zgjedhor dhe ndryshimet e bëra që lejuan hyrjen e grave në parlament njësoj si burrat. Por Rama i është drejtuar edhe deputetëve të rinj të opozitës. Ai iu tha se janë njësoj si ata që ikën por janë në fazën e ambientimit.

“Debati për sistemin është një debat që s’ka fund dhe s’ka për të pasur kurrë fund jo në Shqipëri por askund. E vërteta është që me sistemin që kemi zgjedhur pavarësisht se si është dëshiruar të interpretohet dhe të komentohet lartë e poshtë nga të interesuarit për të justifikuar humbjet e tyre apo axhendat e tyre mediatike, kemi sot një parlament që s’do ta kishim kurrë me sistemin e kaluar. Pse? Mjafton të shikojmë numrin e grave në parlament dhe me gjithë respektin për sa tha parafolësja apo për sa mund të thuhet me të drejtë për disa avantazhe të një sistemi që kalon drejtpërdrejt nga zgjedhja maxhoritare, mos harrojmë se ishte vetëm 10-15 vjet më para kur parlamenti kishte 2-3 gra dhe është fakt që me këtë sistem ne kemi krijuar kushte për të pasur një zgjedhje shumë më përfaqësuese të shoqërisë dhe jo për t’u lidhur pas individësh që mund të realizojnë marrjen e mandatit në një zonë apo zonë tjetër por që nuk mund të garantojnë një përfaqësim të larmishëm dhe shumë më pranë ngjyrave të vetë shoqërisë.
Ky është fakt, këtë mund ta dëshmojnë me siguri në radhë të parë të gjitha zonjat që janë këtu në parlament por çdokush që ka një eksperiencë me jetën parlamentare mund të bëjë krahasimin mes të sotmes dhe të djeshmes. Parlamenti është vendosur në shënjestër, është baltosur, përqeshur anatemuar për një mijë e një arsye por e vërteta është se gjitha ajo baltë në pjesën e saj më të madhe ishte thjesht një propagandë.
Ata që dolën që këtu janë tek dera, është e mërkurë por për mua është enjte kur ka parlament ngaqë kam humbur shumë enjte me kolegët tuaj. Ju mos bëni sikur nuk jeni si ata por ju jeni njësoj si ata por jeni në fazën e ambientimit por pres që shumë shpejt do jeni në lartësinë e tyre përderisa keni qenë në lista”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë duke iu referuar deputetëve që dogjën mandatet tha se ikën vetë e tani shtyjnë policët që të futen vetë. “Ajo që është një pyetje që duhet bërë për të shpjeguar dhe për të ndarë me njerëzit këtë absurd është pse dolën ata nga parlamenti. Ata dolën sepse pasi iu mbaruan llafet dhe boja, dhe bojëdalë tërësisht zgjodhën të dalin në rrugë. Me idenë që në rrugë do marrin z\varrë gjithë Shqipërinë, parlamentin dhe axhendën evropiane të Shqipërisë. Dolën në rrugë sepse janë mësuar të ftojnë pa qenë shumicë. As në 2005 e as në 2009 nuk keni qenë shumicë. Duke qenë se u mësuan pa qenë shumicë dhe meqë duke bërë një gjë të ngjashme 2 vjet më para morën gjysmën e qeverisë tani thonë po ikim fare dhe po marrim gjithë qeverinë”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb