Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Sali Berisha, duke i bërë përgjegjës për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe situatën politike në të cilën ndodhet sot Shqipëria.

Topi deklaroi se marrëveshja e 21 prillit 2008 mes Ramës dhe Berishës ndryshoi rregullat e lojës politike, duke krijuar, sipas tij, një sistem që ka përqendruar pushtetin dhe ka dobësuar mekanizmat demokratikë të kontrollit.

“Historia është që ky që është sot kryeministër dhe ai që është sot kryetar i opozitës, më 21 prill të 2008-s, bënë rregullat e lojës dhe sot ti ke një situatë dizastër. Nga ana tjetër, je në mungesë të shpresës, sepse me këtë Kod Elektoral, me këto kushte, eliminohet”, u shpreh Topi.

Ish-kreu i shtetit ngriti shqetësimin se ndryshimet kushtetuese kanë kufizuar mundësinë për të larguar një kryeministër përmes mekanizmave parlamentarë, duke iu referuar procedurës së mocionit të mosbesimit dhe nevojës për një shumicë alternative.

“Le të ma thotë dikush cili është mekanizmi kushtetues që çmonton sot Edi Ramën? Unë jam një zë publik që e kam kërkuar edhe ditët e fundit, sepse nuk vlen më. Madje, jo vetëm që është arkitekt i shkatërrimit të shtetit dhe ka fakte pafund për këtë punë”, deklaroi ai.

Topi kritikoi gjithashtu Presidentin Bajram Begaj, të cilin e cilësoi të pafuqishëm përballë krizës politike dhe protestave që po zhvillohen në vend.

Duke iu referuar takimit të zhvilluar të hënën në Presidencë, ai tha se kishte pritur një reflektim institucional, ndërsa theksoi se shoqëria ka nevojë për një figurë që të qëndrojë mbi palët dhe të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve.

“Unë shikoj një President, me gjithë respektin individual, personal, që është totalisht i pafuqishëm. Shoqëria kërkon një interlokutor moral, institucional, nga një institucion politik. Nuk është partiak, por është politik. Duhet të jetë mbi palët në mënyrën më absolute. Më shumë se të jetë mbi palët, duhet të ketë një lloj dominimi të ndjenjës për të qenë me njerëzit”, tha Topi.

Ai shtoi se nuk kishte dijeni për ndonjë takim të Presidentit me kryeministrin pas përshkallëzimit të protestave dhe kritikoi mungesën e një apeli publik nga kreu i shtetit.

“Nuk di të ketë ndonjë lajm që Presidenti ka thirrur Kryeministrin. Nuk ka lajm prej katër ditësh. Nuk ka një apel publik. Ai nuk ka shkuar atje si një njeri i stafit të Kryeministrit”, theksoi ish-Presidenti.

Topi u ndal edhe te mënyra se si, sipas tij, pushteti politik ka ndikuar në institucionet shtetërore, duke akuzuar politikën, biznesin dhe një pjesë të medias për marrëdhënie që kanë dëmtuar funksionimin e demokracisë.

“Shoqëria moderne, në gjithë këtë traumë të tmerrshme të tranzicionit, vuan nga politika, nga biznesi që ushqen politikën dhe ushqehet nga politika. Një pjesë e medias është komplekse, është bashkëpunëtore. Jemi në këtë gjendje sepse pushteti çmontoi shtetin, çmontoi demokracinë”, deklaroi ai.

Sipas Topit, vëmendja publike gjatë protestave është zhvendosur nga problemet e qeverisjes dhe akuzat për korrupsion drejt debatit për përgjegjësinë e policisë dhe protestuesve.

“Edi Rama sot, ndoshta paradoksalisht, mund të ndihet i qetë për këtë që ka ndodhur. Sepse në momentin që filluan protestat, zëri kryesor nëpër media nuk janë problemet e mëdha që ka qeverisja e tij, individët që janë të akuzuar për korrupsion, mënyra se si funksionojnë institucionet, që janë blozë fare. Ky ka hyrë në një lloj ekuivalence të fajit”, u shpreh Topi.

Në përfundim, ish-Presidenti theksoi se problemi nuk kufizohet vetëm te përplasjet në rrugë, por lidhet me mënyrën se si funksionon shteti në të gjitha nivelet.

“Zarari i madh nuk është thjesht ajo përplasja atje. Zarari i madh është në mënyrën se si funksionon shteti në çdo qelizë. Kjo është diagnoza. Sot nuk është institucioni i pushtetit, sot është institucioni i njeriut”, përfundoi Bamir Topi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb