Pas gati një dekade shkëputjeje, kryeministri Edi Rama është takuar mbrëmjen e kaluar me Koço Kokëdhimën, një nga figurat më të afërta të tij në vitet para ardhjes në pushtet.
Burime bëjnë me dije se Rama dhe Kokëdhima kanë darkuar së bashku në një restorant pranë Arenës Kombëtare, në një takim të përshkruar si miqësor. Nuk ka informacion zyrtar mbi qëllimin e takimit apo temat e bisedës, por prania e tyre së bashku ka tërhequr vëmendje për shkak të historisë së gjatë dhe të ndërlikuar mes dyshes.
Marrëdhënia Rama–Kokëdhima ka qenë dikur jashtëzakonisht e ngushtë. Kryeministri e ka konsideruar publikisht Kokëdhimën si mentor politik dhe strategjik, ndërsa para zgjedhjeve të vitit 2013 ata ishin pothuajse të pandarë. Kokëdhima u pa si një nga arkitektët kryesorë të fitores së Partisë Socialiste, me ndikim të fortë në strategjinë elektorale dhe komunikimin politik.
Pas zgjedhjeve, raportet nisën të ftohen. Fillimisht u shfaqën fërkime të brendshme për mënyrën e drejtimit të partisë, rolin e biznesit në politikë dhe ndikimin e Kokëdhimës në vendimmarrje.
Përplasjet u bënë publike dhe kulmuan me largimin e tij nga PS dhe një shkëputje të plotë politike dhe personale me Ramën.
Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin e deputetit Koço Kokëdhimës, një zhvillim që në atë kohë u lexua edhe si fundi përfundimtar i një kapitulli të përbashkët politik.
Takimi i mbrëmshëm vjen në një moment kur politika shqiptare po përjeton tensione dhe ripozicionime të forta, ndaj çdo kontakt mes figurash me histori kaq të ngarkuar ngre pikëpyetje. Nëse bëhet fjalë thjesht për një rikthim njerëzor pas viteve ndarje, për këshilla, apo për diçka më shumë, mbetet për t’u parë.
