Sot, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, opozita do të zhvillojë protestë kombëtare, që e cilëson një përballje të fortë me korrupsionin dhe arrogancën e pushtetit.

Protesta pritet të nisë në orën 17:00, përpara Kryeministrisë, ku opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, pas skandaleve të fundit që, sipas saj, kanë tronditur qeverinë.

Partia Demokratike do ta zhvillojë protestën në një moment kur mazhoranca, sipas opozitës, po bllokon drejtësinë duke refuzuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Një pushtet që, sipas demokratëve, mbron veten dhe jo ligjin, duke u fshehur pas mandateve parlamentare në vend që të përballet me drejtësinë.

PD thekson se protesta e sotme është zëri i qytetarëve që nuk pranojnë më pandëshkueshmërinë dhe kapjen e shtetit.

Kryedemokrati Sali Berisha, ka ftuar qytetarë nga e gjithë Shqipëria të bashkohen në shesh, duke nënvizuar se kjo protestë nuk është vetëm për një ditë, por për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë.

Në një dalje për mediat një ditë më parë, Berisha deklaroi se protesta do të jetë paqësore dhe do t’i tregojë Europës dhe botës se shqiptarët, sipas tij, “nuk mposhten nga një grusht hajdutësh”. Ai akuzoi qeverinë për shkelje masive të të drejtave të njeriut dhe për përdorimin e drejtësisë si instrument politik.

“Është një ditë e shqiptarëve për prosperitetin e tyre, për begatinë e tyre, për lirinë e tyre,” u shpreh Berisha, duke e cilësuar protestën si një bashkim qytetar kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Sipas tij, zëri i protestës do të dëgjohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në Bruksel dhe në mbarë Europën.

“Integrimi është synim kryesor po i bazuar në mëritë dhe jo në suksese imagjinare. Shqipëria sot është vend i dhunimit masiv të të drejtave të njeriut. Kush i mbushi burgjet? Burgjet i mbushi politika…Në këtë udhëtim ai do të shkelmojë në Bruksel interesat e çdo shqiptari dhe do mbrojë interesat e veta dhe Lubi Ballukut. E marta është dita e qytetarëve, i ftoj nga mbarë Shqipëria në  Tiranë në kryengritjen paqësore t’i faktojmë Europës dhe botës se ne nuk mposhtemi kurrë nga një grusht hajdutësh”, tha dje Berisha.

Kreu i opozitës iu bëri thirrje edhe forcave të rendit që të qëndrojnë në anën e ligjit dhe të qytetarëve, duke i ftuar të mos shërbejnë si mburojë politike për qeverinë. Ai deklaroi se opozita synon të “hedhë në Lanë qeverinë e krimit”, përmes asaj që e quajti një kryengritje paqësore qytetare.

Me sloganin “Poshtë qeveria e krimit”, opozita fton çdo qytetar që beson se Shqipëria nuk mund të qeveriset nga frika, heshtja dhe korrupsioni, të marrë pjesë në protestën e sotme në orën 17:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb