MAL I ZI-  Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Malit të Zi për një vizitë zyrtare ku do të takohet me krerët e vendit. Komuna e Ulqinit, në një ceremoni solemne, i ka akorduar titullin “Qytetar nderi” kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Titujt u janë dorëzuar sot me motivacionin “për rolin e tyre historik në promovimin e paqes dhe dialogut midis popujve të Ballkanit, marrëdhënieve të ngushta fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë me Malin e Zi, integrimin euro-atlantik dhe rolin shumë të rëndësishëm në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Ballkan dhe posaçërisht në Mal të Zi”.

“Na takon ne në këtë kohë të nxisim lidhjet e paqes. Shqiptarët kanë përgjegjësi historike për të dhënë shembullin. Shqiptarëve iu bie një barrë e veçantë. Është kënaqësi e posaçme për marrjen e këtij titulli. Çmoj praninë e Presidentit të Malit të Zi në ceremoni. Kjo ceremoni na bashkon në një moment festiv. Do ecim shpejt drejt bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Shqiptarët do të bashkohen në familjen evropiane. Jemi të gatshëm të kthejmë të shkuarën në mësim”, tha Rama.

Por përveç falënderimeve të rastit, kryeministri Rama ka shprehur mirënjohje për këtë titull edhe në faqen e tij të Facebook-ut ku ka shkruar “Faleminderit Ulqinit për titullin Qytetar Nderi! Shqiptarët me afër se kurrë mesveti me shumë se kurrë të sfiduar nga e ardhmja e përbashkët”.

Para ceremonisë Rama, Thaçi dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanovic janë takuar në zyrën e kryetarit të komunës së Ulqinit. Rama është takuar edhe me kreun e kësaj komune, Fatmir Gjekën.

“Komuna e Ulqinit dallon si komunë e pasur në Ballkan për trashëgimi kulturore, monumentale, natyrore dhe ç’është më e rëndësishmja edhe për vlera njerëzore, prandaj edhe unë sot ndjehem i privilegjuar që më keni nderuar me këtë çmim”, ka thënë Thaçi.

Sipas Thaçit, kosovarët ndihen shumë afër Ulqinit, sepse e lidhin këtë trevë me kujtimet më të bukura të tyre gjatë stinës së verës. Raportohet se, Rama dhe Thaçi janë pritur edhe nga shqiptarë të shumtë, që kishin dalë për ti takuar ata në rrugë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: