Ka nisur protesta e 14-të masive radhazi e qytetarëve shqiptarë në kryeqytet. Protestuesit janë grumbulluar fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas do të nisin marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur përpara godinës së Kryeministrisë, ku zhvillohet edhe tubimi kryesor.
Në mesin e pjesëmarrësve të shumtë, vështirësitë ekonomike dhe revolta ndaj qeverisjes janë shfaqur hapur.
E pyetur nga mikrofoni i News24, një grua e moshuar ka treguar me detaje gjendjen e vështirë me të cilën përballen pensionistët sot në Shqipëri, duke lëshuar edhe akuza të forta ndaj kryeministrit.
“Ka shumë varfëri në Shqipëri, pensionet janë të ulëta. Unë kam marrë 64 mijë lekë, tani e kam 100 mijë, ndërsa vetëm ilaçet më shkojnë 150 mijë lekë. Edhe një kafe nuk e pi dot me pensionin tim. Gjithë qeverinë e ka në burg dhe ai akoma kërkon e do pushtetin. Nuk sillet si burrë në konferenca, vetëm një rrugaç sillet në atë mënyrë”, u shpreh e moshuara e revoltuar.
