Politologu Ermal Hasimja deklaroi në studion e News24 se protesta e sotme ka rëndësi për bashkimin e grupeve të ndryshme shoqërore rreth një kërkese të përbashkët: dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, grumbullimi pritet të kulmojë në orën 14:00, me organizimin e studentëve. Hasimja vuri në pikëpyetje ftesat e Ramës për dialog, duke iu referuar angazhimeve të pambajtura, sipas tij, ndaj studentëve pas protestave të vitit 2018. Ai propozoi një qeveri kujdestare me njerëz jashtë përbërjes aktuale parlamentare dhe zgjedhje me një sistem të ndryshuar.
“Protesta është e rëndësishme, pasi ka një përshtatje, bashkim të grupeve të ndryshme, në orare të ndryshme. Mendohet se në orën 14:00 do të jetë pjesa kulminante e grumbullimit, me organizimin e studentëve. Pavarësisht grupeve që shkojnë në shesh, kërkesa është e njëjtë: dorëheqja e Ramës. Nuk e di se për çfarë mund të ketë vend për dialog. Rama e ka zhdukur mundësinë e dialogut që në 2018-ën me studentët dhe bëri Paktin për Universitetin, gjë që s’e mbajti. Qëllimi i Ramës nuk është që të bëjë dialog. Nuk ka kuptim. I vetmi dialog që ka kuptim është që të shkohet në Kuvend dhe të vendoset një qeveri kujdestare, jo me ata parlamentarë, por me njerëz që janë jashtë. Të shkohet në zgjedhje jo me sistemin aktual që kemi ne, pasi është bërë për të favorizuar dy partitë më të mëdha. Nuk ke çfarë dialogu të bësh këtu.”, tha ai.
