TIRANE- Kryeministri Rama njëherësh kreu i Partisë Socialiste është takuar mëngjesin e sotëm me aleatin e tij kryesor, kreun e LSI-së Ilir Meta për të rënë dakord për listën përfundimtarëve të kandidatëve të përbashkët me të cilët do dalin në zgjedhjet lokale.

Mësohet se takimi mes Ramës e Metës është zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit dhe ka zgjatur 45 minuta, ndërkohë që vetëm 1 ditë na ndan nga publikimi i listës përfundimtare të kandidatave.

Nga takimet e djeshme të kryeministrit aleancës për Shqipërinë Europiane i është bashkuar edhe PDIU-ja, e cila siç konfirmuan Rama e Idrizi në fund të takimit të djeshëm do të jetë një forcë bashkëqeverisëse. PS, Lsi dhe PDIU pritet të kenë 61 kandidatë të përbashkët në kot zgjedhje. Mbrëmë kryeministri ka ftuar edhe FRD-në e Bamir Topit për tu bashkuar në aleancë me të majtët.

VELIAJ E KLOSI KRYESOJNE SONDAZHET PER TIRANEN
Ngushtohet rrethi i kandidatëve të Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës duke kualifikuar në krye të garës ministrin Erion Veliaj dhe deputetin e qarkut të Durrësit, Blendi Klosi, shkruan Gazeta “Panorama”. Kryeministri Rama në takimin e zhvilluar dje me deputetët e qarkut të Tiranës është shprehur se në PS po vijojnë sondazhet për të parë se cili nga kandidatët ka mbështetjen më të madhe të qytetarëve të kryeqytetit, por dhe nga mbështetja që vjen nga strukturat e PS­së.

Duket se në PS po zhvillohet një lobim real mes mbështetësve të njërit kandidat dhe kandidatit tjetër për Bashkinë e Tiranës, por nuk përjashtohet mundësia që nga kjo përplasje të dalë dhe një kandidat tjetër që do të marrë konsensusin e palëve.

Dje gjatë takimit me deputetët e qarkut të Tiranës, Rama mësohet të ketë folur për profilin që duhet të ketë kandidati i Tiranës, i cili jo vetëm duhet të ketë profil politik, por dhe të ketë treguar aftësi menaxheriale. Kryeministri Rama është shprehur se PS është duke vijuar sondazhet dhe pas dy ditësh do të ketë një rezultat të tyre që do t’u komunikohet dhe deputetëve.

Lista e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës nga Partia Socialiste kishte në përbërje të saj, përveç Veliajt dhe Klosit, edhe deputetin Pandeli Majko, ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, ishnënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri. Po Kryeministri Rama ka zhvilluar dje takime me deputetët socialistë nga të gjithë qarqet e vendit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: