Publicisti Fahri Balliu i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me aksionin e qeverisë ditën e sotme ndaj “Prestige Resort”.

Balliu deklaroi se do ketë sërish sulme të tjera ndaj “Hysenbelliu Group” për shkak se kryeministri nuk do që të tjerët të marrin shembullin e Hysenbelliut i cili nuk pranoi të shesë televizionin pas kërkesës së Ramës apo t’i bindet në kërkesa të tjera të tij.

Ai shtoi se Rama e bën krimin “të bardhë” duke mos nxjerrë gjak, por “duke e pirë atë”, ndërsa shtoi se kreu i qeverisë, i cili sipas tij është “99% frikë dhe 1% ujë”, është i përfshirë në çdo koncesion apo PPP dhe shtesa rrugësh e shitje energjie elektrike, numrat e të cilave sipas tij “do i bëjnë inceneratorët të duken si fashë spitali”.

“Ky është sulmi i tretë dhe do ketë sulme të tjera. Ekstremisti i ekstremistëve është Rama. Veprimet e Ramës janë trashëguar familjarisht që kur babai i tij firmoste të vritej një poet në vitin ’89. Ishte dhimbja dhe dashuria për një sistem kriminal, dhe ky do që të imitojë ata. Kur vdiq Enver Hoxha ky bëri një sërë pikturash me emrin dhimbje për të, ky e fshehu atë dhe mendon se ajo nuk ekziston. Ja ku doli ajo sot, këtu është asgjësuar edhe republika.

Ndërgjegjja dhe formimi i këtij qytetari shqiptar të sotëm është larg atij të popujve të tjerë për shkak të një dashurie të madhe për idealet e të majtës ekstreme. Ky e bën krimin e bardhë, nuk ta nxjerr gjakun por ta pi. Që 15 vite më parë ambasadori i OSBE-së tha se ky ka 200 milionë euro, ky sot ka para gjigante dhe është në çdo koncesion apo PPP. Është në çdo shtesë të rrugëve dhe në shitjen e blerjen e energjisë. Kur të dalin këto inceneratorët do duken si fashë spitali. Ky nuk bën kurrë shkresa, ka një segment që nuk e zotëron. Rama është 99% frikë dhe 1% ujë. Nga ky segment që nuk i bindet dhe nuk e zotëron për shkak të temperamentit të Hysenbelliut, dhe nuk e pranon që të shesë televizionin apo t’i bjerë Ditmir Bushatit apo Blendi Klosit. Këtë e bëri njeriu që ka risjellë luftën e klasave, nuk e duron dot Hysenbelliun. Nga frika se mos të tjerët marrin shembull nga Irfani ai do vijojë me këtë veprimtari”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb